Kontrolli në banesë, Arben Ahmetaj dhe partnerja e tij padisin Shqipërinë në Gjykatën e Strasburgut

Ish-zëvendëskryeministri dhe ish-deputeti Arben Ahmetaj, së bashku me partneren e tij Erjola Hoxha, kanë paditur shtetin shqiptar në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), duke pretenduar se kontrolli i ushtruar në banesën e tyre në mars 2023 ishte i paligjshëm dhe në shkelje të të drejtave të tyre themelore.

Sipas dokumenteve zyrtare të Gjykatës së Strasburgut, padia (nr. 14216/24) është dorëzuar më 8 maj 2024 dhe është komunikuar qeverisë shqiptare më 6 tetor 2025.

Në ankesën e tyre, Ahmetaj dhe Hoxha kundërshtojnë kontrollin e banesës dhe sekuestrimin e pajisjeve elektronike, të kryer nga SPAK më 9 mars 2023, mbi bazën e një vendimi të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, lëshuar një ditë më parë.

Në dosjen e komunikuar, ish-deputeti Ahmetaj pretendon se kërkimi ishte i paligjshëm, pasi në kohën e ngjarjes ai gëzonte imunitetin parlamentar, dhe banesa e tij nuk mund të kontrollohej pa miratimin paraprak të Kuvendit, siç parashikohet në nenin 73, pika 2 të Kushtetutës së Shqipërisë.

Gjithashtu, paditësit argumentojnë se nuk kishin në dispozicion një procedurë efektive për të kundërshtuar ligjshmërinë e kontrollit, duke pretenduar shkelje të nenit 8 (e drejta për respektimin e jetës private dhe banesës) dhe nenit 13 (e drejta për mjet efektiv juridik) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Gjykata e Strasburgut i ka drejtuar dy pyetje kryesore qeverisë shqiptare, duke kërkuar sqarime mbi:

Nëse është shkelur e drejta e Ahmetajt për respektimin e banesës, duke marrë parasysh statusin e tij si deputet dhe detyrimin për të pasur miratim parlamentar për çdo kontroll.

Nëse legjislacioni dhe praktika vendase i kanë ofruar paditësve mjete të mjaftueshme ligjore për të kundërshtuar urdhrin e kontrollit dhe sekuestrimit, sipas standardeve të vendosura nga jurisprudenca evropiane (rastet Brazzi kundër Italisë, Giuliano Germano kundër Italisë, Mukhtarli kundër Azerbajxhanit dhe Posevini kundër Bullgarisë).



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×