
Në emisioni “Kjo Javë” në News24, ishte i ftuar shkrimtari, studiuesi Sadik Bejko.
Në një bisedë me Nisida Tufën, ai ka theksuar nevojën për t’iu rikthyer dhe ristudiuar trashëgiminë kulturore shqiptare, me legjendat, përrallat, gojëdhënat, pasi etëm kështu sipas tij trashëgimia mbahet gjallë.
“Trashëgimia kulturore shqiptare, me legjendat, përrallat, gojëdhënat, me shkrimtarët të vjetër e deri sot, është një lëndë që duhet lëvruar dhe përpunuar, duhet marrë e rimarrë, duhet parë në këndvështrime të ndryshme. Është shtëpia jonë e përbashkët kulturore, shtëpi shpirtërore që po nuk e përpunuam, po nuk bujtëm tek ajo, ajo shtëpi mbetet e thatë, është si shtëpi kuti. Nëse këtë lëndë që na e kanë sjellë njerëzit tanë më të shquar, duhet ta studiojmë, t’i kthehemi, në këtë mënyrë bëhet një lëndë që jeton me ne. Një libër që e lëmë në bibliotekë është i vdekur, njëjtë edhe për trashëgiminë kulturore, kthehet në muzeale”, tha ai.
Bejko u ndal edhe në botimin e tij “Ad Infinitum”, që u promovua 10 ditë më parë, i cili është pjesë e panairit të librit.
Ai ka sqaruar strukturën e librit ndërkohë që theksoi se nuk ka zgjedhur një stil të thatë dhe studimi shkollor, por ka zgjedhur detaje që i ka vënë në pah.
“Është sprova dhe studime, unë kam gjetur vështrimin eseistik, jo të studimit akademik dhe të thatë, me terma teknike. Jam munduar të hyj direkt dhe të bëj një bisedë direkte me temat e zgjedhura. Fillimisht flitet për folklorin shqiptar dhe bëhet një thirrje që për shembull baladat t’i besojmë si balada, si të çuditshme dhe të mrekullueshme. Mund të duket e pabesueshme për botën e internetit, por një përrallë një baladë që ta tregon gjyshja, duhet ta besosh si të mrekullueshme, pa skepticizëm.
Në pjesën e dytë jam ndalur në disa shkrimtarë të së shkuarës, por nuk i kam marrë në kuptimin skolaresk të tyre, por i kam vënë në dukje anë të tjera të tyre. Nuk është një studim i rreptë shkollor, është më i shkrifët”, tha ai.
and then