Konferenca Shkencore Kombëtare “Gjuha shqipe – identiteti ynë”, Begaj vlerësohet me titullin “Personalitet i shquar”: Të forcojmë standardet e shqipes

Në Gjirokastër u zhvillua Konferenca Shkencore Kombëtare “Gjuha shqipe – identiteti ynë”, një aktivitet i rëndësishëm kushtuar gjuhës, kulturës dhe trashëgimisë sonë kombëtare.

Konferenca u organizua nga Shoqata Atdhetare Kulturore “Labëria”, në bashkëpunim me Universitetin “Eqrem Çabej”, dhe mblodhi në një sallë personalitete të njohura të gjuhësisë, letërsisë dhe kulturës shqiptare, studiues nga mbarë trojet dhe diaspora.

I pranishëm në aktivitet ishte edhe Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i cili u vlerësua nga shoqata me titullin “Personalitet i shquar”. Në fjalën e tij, presidenti Begaj nënvizoi rëndësinë e mbrojtjes së gjuhës shqipe si një detyrim themelor kombëtar.

“Është detyrë parësore kombëtare mbrojtja dhe promovimi e gjuhës shqipe, ashtu si kanë bërë të parët tanë. Është detyrë e jona sot t’u lëmë fëmijëve tanë një gjuhë të pasur, të pasuruar me standarde dhe të mbrojtur nga huazimet e kohës. Si kanë bërë arbëreshët për më shumë se pesë shekuj, si ka bërë diaspora për më shumë se 30 vite, duhet të bëjmë edhe ne për të forcuar standardet e gjuhës shqipe”, u shpreh Begaj.

Gjatë konferencës, studiues e akademikë sollën në vëmendje kontributin e figurave të mëdha të gjuhësisë dhe kulturës shqiptare, duke theksuar se gjuha është themeli i identitetit dhe një pasuri e përbashkët që duhet ruajtur me përkushtim.
Aktiviteti u mbyll me thirrjen për vazhdimin e studimeve, kërkimeve dhe nismave edukative që ndihmojnë në forcimin e kulturës gjuhësore në gjithë hapësirën shqiptare.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×