
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka akuzuar Presidentin e Republikës, Bajram Begaj, se prej 47 ditësh ka marrë peng procedurën e betimit të gjyqtarit kushtetues të zgjedhur, Asim Vokshi, duke futur në ngërç kushtetues vetë Gjykatën Kushtetuese.
Bardhi thekson se ndërhyrja e Presidentit është “e tërësisht antikushtetuese”, pasi cënon pavarësinë dhe integritetin e Gjykatës Kushtetuese dhe shkel nenin 129 të Kushtetutës, si dhe nenin 8 të Ligjit nr. 8577/2000 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”. Sipas tij, asnjë president para Bajram Begajt nuk ka vepruar në këtë mënyrë.
“Prej ditës së parë në detyrë, Bajram Begaj i ka shërbyer vetëm interesave politike të Edi Ramës dhe Partisë Socialiste. Këta të fundit u shndërruan në mburojë politike për të mos lejuar shqyrtimin nga Gjykata Kushtetuese të shkeljeve të rënda të Kushtetutës dhe ligjit nga Bajram Begaj,” shkruan Bardhi.
Ai bën thirrje që Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese të reagojnë menjëherë ndaj asaj që e quan “përdhosje të autoritetit të dy gjykatave më të larta në vend” dhe akuzon presidentin si një figurë “tërësisht e papërgjegjshme”, e cila po vepron në favor të interesave të Edi Ramës dhe aferave të tij të paligjshme dhe korruptive.
Bardhi nënvizon se mosveprimi i Begajt po pengon fillimin e detyrës së gjyqtarit Vokshi dhe po krijon një precedent të rrezikshëm për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese.
Reagimi i Gazment Bardhit:
Pasi ndërhyri në mënyrë tërësisht antikushtetuese në mandatet e gjyqtarëve kushtetues duke cënuar pavarësinë dhe integritetin e Gjykatës Kushtetuese, Presidenti i Republikës prej 47 DITËSH ka marrë peng procedurën e betimit dhe fillimit të detyrës të gjyqtarit kushtetues të zgjedhur Asim Vokshi, duke futur në ngërç kushtetues vetë Gjykatën Kushtetuese.
Kjo sjellje e Presidentit të Republikës, pa dhënë asnjë shpjegim publik të arsyeshëm, është një tjetër dëshmi se ai e ka humbur me kohë rolin e tij si Kryetar i Shtetit dhe garant i Kushtetutës. Ky mosveprim është në kundërshtim flagrant me nenin 129 të Kushtetutës dhe nenin 8 të Ligjit nr. 8577/2000 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”. Asnjë President përpara tij nuk ka guxuar të sillet në këtë mënyrë me Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.
Prej ditës së parë në detyrë, Bajram Begaj i ka shërbyer vetëm interesave politike të Edi Ramës dhe Partisë Socialiste. Këta të fundit u shndërruan së fundmi në mburojë politike për të mos lejuar shqyrtimin nga Gjykata Kushtetuese të shkeljeve të rënda të Kushtetutës dhe ligjit nga Bajram Begaj në ushtrimin e detyrës së Presidentit të Republikës.
Ndërkohë që nuk pritet asnjë reflektim nga Bajram Begaj, apeloj Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese të reagojnë menjëherë ndaj kësaj përdhosjeje që po i bëhet autoritetit të dy gjykatave më të larta në vend nga një njeri tërësisht i papërgjegjshëm, i marrë peng nga Edi Rama për aferat e tij të paligjshme dhe korruptive, qoftë si Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, ashtu edhe si President i Republikës.
and then