Reshjet e dendura të shiut, trafik i rënduar në aksin Elbasan-Librazhd gjatë gjithë ditës

Gjatë gjithë ditës së sotme, trafiku në aksin kombëtar Elbasan-Librazhd dhe në drejtim të kundërt ka qenë tepër i rënduar, duke shkaktuar ngadalësime të konsiderueshme dhe vështirësi në qarkullimin e automjeteve.

Shkak për situatën e krijuar janë bërë reshjet e dendura të shiut, shoqëruar herë pas here me mjegull të dendur, të cilat kanë ulur ndjeshëm shikueshmërinë dhe kanë vështirësuar lëvizjen e mjeteve. Përveç kushteve të pafavorshme atmosferike, punimet që po kryhen në disa segmente të këtij aksi të rëndësishëm rrugor kanë shtuar edhe më shumë ngarkesën dhe vonesat në qarkullim.

Policia Rrugore i ka bërë thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar, të respektojnë sinjalistikën provizore në zonat ku po kryhen punime dhe mbi të gjitha, të kenë durim në lëvizjet e tyre. Autoritetet rikujtojnë se ky aks mbetet një nga më të frekuentuarit e qarkut dhe se kushtet e motit me reshje kërkojnë vëmendje maksimale nga çdo përdorues rruge.

Policia thekson se prania e patrullave është shtuar gjatë orëve të pasdites me qëllim menaxhimin e trafikut dhe parandalimin e aksidenteve, ndërsa u bën apel të gjithë drejtuesve të ulin shpejtësinë, të shmangin manovrat e rrezikshme dhe të udhëtojnë të pajisur me mjetet e nevojshme për mot të keq.

Autoritetet nënvizojnë se situata do të monitorohet në vijim, ndërsa kërkojnë bashkëpunimin e çdo qytetari përdprues të kësaj rruge për të garantuar qarkullim të sigurt përgjatë këtij aksi kombëtar.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×