
Ish-drejtuesi i Policisë, Krenar Ahmeti, i ftuar në studion e emisionit “Oponencë” në News24, ka folur për skandalet që lidhen me sigurinë e të dhënave në Shqipëri, duke u ndalur veçanërisht te sistemi TIMS.
Sipas Ahmetit, mënyra se si janë marrë të dhënat tregon se veprimi është kryer në mënyrë të thjeshtë, por të mirëorganizuar. Ai aludoi se të dhënat janë eksportuar tërësisht nga sistemi origjinal dhe janë transferuar në një depozitë tjetër, pikërisht për të shmangur protokollet e sigurisë që ekzistojnë në sistemin TIMS.
“Në momentin që janë marrë të dhënat e TIMS-it, unë aludoj se veprimi është bërë thjesht. Eksportohen gjithë të dhënat në një depozitë tjetër sepse aty ku janë ka një protokoll, pasi lihen gjurmë nga ata që hyjnë,” u shpreh Ahmeti.
Ai theksoi se ky veprim është kryer me qëllim manipulimin e informacionit dhe fshirjen e emrave të caktuar, pa lënë gjurmë në sistemin origjinal. “Është zbrazur ena e TIMS dhe është vendosur diku tjetër për të fshirë emrat që duheshin. Këtu nuk ka gjurmë të lëna pas kalimit në një enë tjetër,” shtoi ai.
Deklaratat e ish-drejtuesit të Policisë ngrenë pikëpyetje serioze mbi sigurinë e sistemeve shtetërore dhe mekanizmat e kontrollit të të dhënave sensitive, ndërsa pritet që institucionet përgjegjëse të japin sqarime dhe të ndërmarrin hetime të plota mbi këtë çështje.
and then