“Rilindja ka vdekur, duhet ta groposim”, Berisha: Greqia ndërton autostrada me 6 korsi, Lubia bën “rrugët e florinjta” me 22 mln euro për kilometër

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbajtur sot një fjalim nga foltorja e ngritur nga PD para Kryeministrisë, ku ka akuzuar qeverinë për abuzime me fondet publike dhe për kosto të fryra në ndërtimin e infrastrukturës rrugore.

Duke sjellë si shembull një projekt në Greqi, Berisha deklaroi se këtë vit autoritetet greke kanë prokuruar autostradën Janinë–Kakavijë me gjashtë korsi dhe standarde evropiane, me një kosto prej rreth 4 milionë euro për kilometër. Sipas tij, kjo bie në kontrast të fortë me, siç i quajti, “rrugët e florinjta” në të ndërtuara nga “Lubi Balluku”, të cilat, sipas Berishës, kanë kosto që variojnë nga 17 deri në 22 milionë euro për kilometër.

“Pra, zinxhiri i vjedhjeve të tyre, i qëndrimeve të tyre nuk ka fund,” u shpreh Berisha, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe zëvendëskryeministren Belinda Balluku për përgjegjësi direkte në këto projekte.

Në fjalën e tij, kreu i PD-së theksoi se shpresa për ndryshim, sipas tij, qëndron tek qytetarët dhe tek mobilizimi i opozitës. Ai bëri thirrje për vendosmëri dhe pjesëmarrje aktive në protestat kundër qeverisë, duke përdorur një gjuhë të ashpër politike ndaj mazhorancës.

“Shpresa e vetme për shqiptarët qëndron në mendjen dhe zemrat tuaja, në vendosmërinë tonë, vendosmërinë e popullit opozitar,” deklaroi Berisha, duke shtuar se opozita synon ta kthejë këtë periudhë në një moment përfundimtar kundër asaj që ai e cilësoi si “regjim i kalbur i Rilindjes”.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×