
Kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka folur për mikrofonin e News24 lidhur me protestën e zhvilluar sot para Kryeministrisë, ku ai dhe disa aktivistë të tjerë ndodhen prej 28 ditësh në shenjë qëndrese.
Lapaj theksoi se strategjia e lëvizjes mbetet qëndresa qytetare, pavarësisht numrit të pjesëmarrësve, duke nënvizuar se qëllimi kryesor është thyerja e frikës tek qytetarët dhe dhënia e një modeli ndryshe proteste.
“Ka vetëm një strategji: qëndresa, aq sa të mundemi, sa të vijnë njerëzit. Mua nuk më kompleksojnë numrat. Strategjia jonë është qëndresa. Besoj se po i bëjmë vendit një shërim të mirë, sepse po vritet frika në vetvete. Ne po përpiqemi të japim modelin tonë në këtë mënyrë,” u shpreh Lapaj.
Ai komentoi gjithashtu edhe incidentin e ndodhur gjatë protestës, ku sipas tij disa persona civilë kanë filmuar dhe fotografuar protestuesit, duke e cilësuar këtë si përpjekje për intimidim.
“Nuk e kam fshehur simpatinë dhe vlerësimin për Policinë e Shtetit. Ajo është garancia për çdo qytetar, kur është polici e shtetit dhe jo e bandave. Por mes policisë kishte disa civilë që u bënin foto njerëzve. Pse duhen këta, kur ka kamera në çdo cep? Nëse duan të na identifikojnë, ka kamera ose le të vijë një efektiv me uniformë,” tha ai.
Lapaj theksoi se gjatë 28 ditëve të protestës nuk ka pasur asnjë incident dhe se gjithçka ka qenë paqësore.
“Kemi 28 ditë këtu dhe nuk është prekur as edhe një lule. Kur vjen një person civil me kapuç që mbulon fytyrën, ne mendojmë se është bandit. Policia rri këtu me uniformë, na shikon në sy. Por kur vjen një civil i tillë për të intimiduar njerëzit, kjo është e paligjshme dhe e rrezikshme,” u shpreh Lapaj.
Sipas tij, prania e civilëve që fotografojnë protestuesit krijon pasiguri dhe frikë, duke cenuar të drejtën e protestës paqësore.
and then