
Dosja hetimore për skandalin e tunelit të Llogarasë, nxorri në pah abuzimet skandaloze me ligjin nga ana e zv/kryeministres Belinda Balluku, drejtorit të ARRSH, Evis Berberi dhe vartësve të tyre.
Përveç se rritjes fiktive të faturave që kanë rënduar mbi buxhet dhe favorizimit të kompanisë turke e cila nuk ka kryer asnjë punim në tunel, ngrihen dyshime edhe mbi rimbursimin e TVSH-së për punimet e tunelit.
Hetimi i hollësishëm i prokurorisë, e cila zbardhi aferën 190 milionë euro me ndërtimin e tunelit të Llogarasë nga SPAK, zbuloi shkelje të shumëllojshme që bëjnë përgjegjës, përveç Belinda Ballukut, edhe Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.
Kjo drejtori është përgjegjëse se ka lejuar firmën e ndërtimit të punojë plot 3 vite pa dokumentacion të vlefshëm ligjor, duke njohur TVSH-në kreditore të mallrave në ndërtimin e tunelit.
Kreditimi i TVSH-së është e drejta që një biznes ka për të zbritur TVSH-në që ka paguar kur ka blerë mallra apo shërbime, nga TVSH-ja që ai vetë mbledh kur shet mallra apo shërbime tek të tjerët.
Pra, ai është një mekanizëm që shmang taksimin e dyfishtë dhe siguron që TVSH-në ta paguajë vetëm konsumatori final, jo bizneset ndërmjetëse.
Ligjet në fuqi e ndalojnë kreditimin e TVSH-së për bizneset që operojnë pa një dokumentacion të vlefshëm ligjor, ndaj duhet që KLSH dhe SPAK të hetojnë mbi rolin e Drejtorisë së Tatimeve.
Ligji për “Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë” thotë se “tatimpaguesit që kryejnë veprimtari ndërtimi kanë të drejtë të kreditojnë TVSH-në e paguar për blerjet e mallrave, vetëm pasi të kenë marrë lejen e ndërtimit dhe të kenë regjistruar objektin si projekt ndërtimi në organin tatimor”.
Konkretisht, leja për ndërtimin e Llogarasë është bërë e vlefshme në maj të vitit 2025, atëherë kur tuneli kishte përfunduar dhe ishte në prag të përurimit.
Përgjegjësia ligjore bie mbi drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, e cila ka detyrë kontrollin e veprimtarisë së një kompanie, e cila në rastin konkret, ka vepruar pa një dokumentacion të vlefshëm ligor.
Përgjegjësit direkt të kësaj shkeljeje ligjore, janë ish-drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ceno Klosi dhe pasuesja e tij që nga muaji korrik 2024, Elidjana Çelaj.
Dyshja Ceno Klosi-Elidjana Çelaj kanë toleruar veprimtarinë ekonomiko-financiare, si pagesa te tatim-fitimit dhe TVSH-së për kompaninë e ndërtimit, megjithëse ajo ka vepruar pa një leje të vlefshme ndërtimi.
Kjo verbëri profesionale, dëshmon për standardin e dyfishtë në trajtimin që Drejtoria e Tatimeve i bën bizneseve të ndryshme në vend.
Nga njëra anë, Tatimet gjobisin në shkelje të ligjit “Prestige Resort” 3 vite pas shembjes dhe nga ana tjetër, nuk ushtrojnë kontrolle tatimore për kompanitë që operojnë në veprat publike që paguhen me paratë e shqiptarëve.
Është flagrant rasti i inspektorit Olsi Kuca, i cili firmosi gjobën 4 milionë euro për “Prestige Resort”, përtej çdo afati ligjor, duke bërë gafa ligjore në interpretime, duke mos pezulluar procedurën pavarësisht procesit gjyqësor etj.
Abuzimi me besimin dhe paratë e shqiptarëve, është një çështje serioze që meriton vëmendje, transparencë, por mbi të gjitha përgjegjësi penale për çdo shkelës të ligjit.
Burime nga SPAK thanë se këtij viti pritet të nisë një hetim i plotë I shkeljeve nga ana e drejtuesve të Tatimeve dhe gjobat e paligjshme ndaj biznesit.
and then