
Ish-prokurori Eugen Beci, i ftuar në emisionin “Studio24”, ka komentuar pjesëmarrjen e të Ngarkuarës me Punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Nancy VanHorn, në një aktivitet ku ishin të pranishëm kryeministri Edi Rama dhe zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, e cila aktualisht është e pandehur.
Sipas Becit, fakti që Balluku është marrë zyrtarisht e pandehur ka një rëndësi të veçantë në raport me marrëdhëniet me autoritetet amerikane.
Ai theksoi se SHBA njohin dhe respektojnë autoritetet shtetërore shqiptare, por sipas praktikave të tyre, nuk mund të ketë kontakte zyrtare me persona që janë nën hetim penal. “Nëse Balluku është e pandehur, atëherë autoritetet amerikane nuk duhet të kenë kontakt me të. Nëse nesër ka të pandehur edhe në nivele më të larta, as ata nuk do të takohen nga autoritetet e SHBA-së”, u shpreh Beci.
Ish-prokurori u ndal edhe te roli i SPAK, duke deklaruar se struktura e posaçme pritet të ketë në fokus termin “narkoterrorizëm”, i përdorur nga administrata amerikane për të përshkruar lidhjet mes krimit të organizuar dhe politikës.
Sipas tij, hetimet dhe rezultatet e deritanishme të SPAK kanë treguar se krimi i organizuar ka ndikuar në zgjedhjen e disa deputetëve, të cilët më pas, sipas Becit, “i kanë kthyer borxhin” grupeve kriminale duke i favorizuar në trafikun e paligjshëm dhe në afera korruptive.
and then