
Zëvendëspresidentja e partisë së Lirisë, Erisa Xhixho ka reaguar sërish për situatën e përmbytjeve në vend. Xhixho bën përgjegjës mungesën totale të institucioneve për të marrë masa parandaluese, pasi çdo vit përmbyten shtëpi, toka bujqësore qe biznese.
“Në Durrës, u investuan 19 milionë euro për hidrovorin, por qyteti mbeti nën ujë për ditë të tëra. Ky është simboli më i qartë i abuzimit me paratë publike: miliona euro të shpenzuara, zero funksionim, zero përgjegjësi. Qeveria nuk shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, sepse nuk ka as vullnetin dhe as përgjegjshmërinë të dëmshpërblejë qytetarët”, thotë ajo.
Më tej nënvizon se qindra fermerë po përballen me ngrica dhe dëme, pa shpresë për ndihmë nga shteti, i cili jo vetëm që nuk i mbështet po edhe i ka lënë pa fondet e BE për shkak të vjedhjes e korrupsionit.
Deklarata e plotë:
Shqipëria u përmbyt sërish. Dhe shkak nuk janë reshjet, por mungesa totale e parandalimit, infrastruktura e lënë në harresë, betonizimi, keqmenaxhimi. Çdo vit përmbytjet shkatërrojnë shtëpi, toka bujqësore dhe biznese, duke lënë qindra familje pa strehë, pa asnjë mbështetje reale nga shteti.
Në Durrës, u investuan 19 milionë euro për hidrovorin, por qyteti mbeti nën ujë për ditë të tëra. Ky është simboli më i qartë i abuzimit me paratë publike: miliona euro të shpenzuara, zero funksionim, zero përgjegjësi. Qeveria nuk shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, sepse nuk ka as vullnetin dhe as përgjegjshmërinë të dëmshpërblejë qytetarët.
Qindra fermerë po përballen me ngrica dhe dëme, pa shpresë për ndihmë nga shteti, i cili jo vetëm që nuk i mbështet po edhe i ka lënë pa fondet e BE për shkak të vjedhjes e korrupsionit.
Qiratë janë dyfishuar krahasuar me 4 vite më parë, ndërsa inflacioni u rrit në 2.3% në dhjetor.
Sot produktet ushqimore bazë në Shqipëri kushtojnë rreth 50% më shtrenjtë se në Europë. Qumështi, vezët, mielli dhe sheqeri kushtojnë gati dyfish krahasuar me Gjermaninë apo Italinë, ndërkohë që pensioni shqiptar mesatar është vetëm 170 euro në muaj. Familjet shqiptare shpenzojnë sot të paktën 40% të buxhetit familjar vetëm për ushqim, pra për mbijetesë.
Ndërsa qytetarët varfërohen, qeveria pasurohet. Vetëm në 8 muaj u mblodhën gati 5 miliardë euro në arkën e shtetit. Të ardhurat gjatë vitit 2025 u rritën me 7.3% ose 340 milionë euro më shumë, para që dolën drejtpërdrejt nga xhepat e qytetarëve.
Por këto para nuk shkojnë për emergjencat, për parandalimin e përmbytjeve apo për mbështetjen e familjeve në nevojë. Por shkojnë për rrugë të florinjta që po bien çdo ditë dhe pasurojnë klientët e qeverisë, shkojnë për projekte fantazmë si Durana Tech Park, për grupin e strukturuar kriminal të AKSHI-t, për tunelin e Llogarasë dhe për tendera e kontrata koncesionare që çojnë paratë e qytetarëve në xhepat e klientëve të pushtetit.
Qeveria jeton në luks, ndërsa qytetarët numërojnë qindarkat. Vera 33 mijë euro, “Kopshti Eden” 4.2 milionë euro, udhëtimet charter miliona euro. Vetëm te tuneli i Llogarasë u vodhën 75 milionë euro. “Rrugët e florinjta” dhe inceneratorët përpinë qindra miliona euro të tjera.
Dhe kur drejtësia vepron, pushteti e bllokon pasi çdo qytetar është i qartë sot që në krye të gjithë këtyre aferave korruptive është vetë Edi Rama.
Ndaj ajo që po ndodh me Kuvendin, ku shtyrja me 6 javë e shqyrtimit të kërkesës së SPAK për zv. Kryeministren nën hetim është një akt i paprecedentë, por që njëkohësisht tregon hapur frikën e Edi Ramës nga drejtësia dhe tentativën e dëshpëruar të tij për të mbrojtur veten.
Partia e Lirisë dënon me forcë përdorimin e Kuvendit si mburojë politike nga qeveria dhe kërkon që sa më parë, Parlamenti të zbatojë ligjin dhe t’i hapë rrugë drejtësisë. Koha e llogaridhënies ka ardhur dhe askush nuk mund ta ndalë.
and then