“Nuk jemi numra!”/ Juristja shqiptare shpërthen në Samitin e Diasporës: Politika larg realitetit, të përgatiturve u janë mbyllur dyert

Jo të gjitha panelet e Samiti i Diasporës në Tiranë kanë kaluar pa tensione, pasi gjatë diskutimeve janë artikuluar kritika të drejtpërdrejta nga përfaqësues të diasporës. Një prej zërave më kritikë ishte ai i Eva Baçit, një shqiptare që jeton dhe punon në Bolonjë, e cila ngriti shqetësimin se, pavarësisht dëshirës për t’u kthyer dhe kontribuar në Shqipëri, mungojnë hapësirat reale për përfshirje.

Gjatë panelit ku ishin të pranishëm Niko Peleshi dhe Taulant Balla, ajo u shpreh se organizime të tilla shpesh mbeten në nivel deklarativ dhe nuk reflektojnë zërin e vërtetë të diasporës.

Baçi kritikoi faktin se pjesëmarrësit nga diaspora nuk marrin fjalën sa duhet, duke theksuar se ata janë “aktorët kryesorë” të këtij samiti dhe jo thjesht dëgjues të fjalimeve politike.

Ajo shtoi se shumë profesionistë shqiptarë jashtë vendit, pavarësisht kualifikimeve të larta, ndihen të papërfaqësuar dhe të papërkrahur nga institucionet në Shqipëri. Sipas saj, diaspora shpesh trajtohet më shumë si statistikë sesa si potencial real për zhvillimin e vendit.

Në fjalën e saj, Baçi theksoi sakrificat e emigrantëve dhe mungesën e mbështetjes nga shteti, duke bërë thirrje për hapje konkrete të dyerve për ata që duan të kontribuojnë. “Dëshira për t’u kthyer në Shqipëri është shumë e madhe, ndaj marrim pjesë në Samite sepse presim një dritare te hapur nga toka mëmë, për t’u kthyer, që të na hapë derën. Skenari është shkruar shumë bukur, si ai regjisori që shkruan shumë bukur, dëgjojmë narativa, por mungojnë aktorët kryesorë që është Diaspora. Ky është Samiti i Diasporës. Mendoj se përveç hapjes që fjala duhet t’u jepet ministrit, kryeministrit dhe presidentit, aktorët kryesorë jemi ne. Unë doja që të bëja një diskutim dhe nuk m’u dha e drejta e fjalës. Duhet t’i mbarojmë këto filmat e bukur, që ne vetëm të dëgjojmë”, tha Baçi.

Në përfundim, ajo pati edhe një mesazh të drejtpërdrejtë për politikën shqiptare, duke theksuar se drejtuesit janë të shkëputur nga realiteti i diasporës dhe duhet të reflektojnë më shumë për rolin dhe përfshirjen e saj në zhvillimin e vendit. “Unë kam mbaruar 3 fakultete në Bolonjë, kam dy specializime. Kemi kërkuar shumë herë, që të hyjmë të japim kontributin tonë. Unë punoj 14 orë në Itali, por mund të punoj 20 orë për Shqipërinë. Unë nuk kam vend ku të flas, dua të shpreh atë që kam, sepse përndryshe ne ngelemi vetëm numra. Unë nuk mund të pres biletën të vij që andej për të qenë një numër. Unë kam ngelur shumë keq dje, kur u dhanë çmimet. Në krahun tim është njëri nga sipërmarresit shqiptarët që i jep punë 350 familje dhe ju nuk i dhatë një çmim, Astrit Poti.

Ju jeni larg realitetit, flas për politikanët, jeni larg realitetit, nuk jeni afër me ne. Jemi pa përkrahje dhe kur nuk të përkrah shteti yt, kur ti nuk jep kontribut në shtetin tënd. Unë për Italinë jam më e përgatitura, por jam thjesht e huaj. Ne duam të kthehemi në vendin tonë. Këto panelet e ndara nuk janë mirë. Ne aktorët kryesore duhet të flasim, të sjellim problemet. Jo të dëgjojmë politikanët, narativa është shumë e bukur, por ju nuk e keni idenë cfarë do të thotë sakrifica, pa asnjë përkrahje dhe asnjë ndihmë.

Hapni dyer, sepse Shqipërisë nuk i mungon truri. I keni mbyllur dyert, të gjitha personave që janë të përgatitur”, tha ndër të tjera përfaqësuesja e Diasporës. Kam edhe shumë gjera, por po të më jepet mundësia unë diskutimin e kisha përgatitur. Zoti Taulant Balla, je i pari që je shumë larg realitetit. Votën mund ta kalosh edhe 4 vite të tjera, por në histori duhet të lesh një emër”, tha ajo.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×