
Nënkryetari i Kuvendit dhe deputeti i PD Agron Gjekmarkaj ka ndarë në rrjetet sociale detaje nga vizita e tij zyrtare në Suedi, ku është takuar me drejtues të lartë të parlamentit suedez.
Gjatë vizitës, Gjekmarkaj është pritur nga Kryetari i Parlamentit të Suedisë, Dr. Andreas Norlén, si dhe nga Nënkryetari i Komisionit për Punët e Jashtme, Morgan Johansson, dhe deputeti Fredrik Ahlstedt.
Në emër të Partisë Demokratike dhe liderit të saj, Sali Berisha, Gjekmarkaj ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen që Suedia i ka dhënë Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimi Evropian.
Sipas tij, kryeparlamentari suedez ka rikonfirmuar angazhimin e Parlamentit të Suedisë për të mbështetur anëtarësimin e plotë dhe të shpejtë të Shqipërisë në familjen europiane.
Gjatë takimeve janë diskutuar edhe çështje që lidhen me procesin e integrimit, përfshirë problematikat e zgjedhjeve, raportet e OSBE-ODIHR, si dhe çështje që lidhen me funksionimin e opozitës dhe pavarësinë e institucioneve.
Mikpritësit suedezë, sipas Gjekmarkajt, kanë theksuar rëndësinë e vazhdimit të reformave, respektimit të pavarësisë së gjyqësorit dhe forcimit të dialogut politik në Parlament.
Po ashtu, është bërë e ditur se një delegacion i Komisionit për Punët e Jashtme të parlamentit suedez pritet të vizitojë Shqipërinë muajin e ardhshëm për të ndjekur nga afër zhvillimet.
Në përfundim të vizitës, Gjekmarkaj ka shprehur mirënjohjen për pritjen dhe diskutimet, duke vlerësuar forcimin e marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve në kuadër të procesit të integrimit evropian.
and then