
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar nga foltorja e Kuvendit lidhur me hetimet ndaj aktiviteteve të Call Center-ave mashtrues në Shqipëri, pas goditjes së fundit të një rrjeti disa ditë më parë nga autoritetet.
Në fjalën e tij, Braçe theksoi se ky fenomen nuk është i ri, duke u shprehur: “Aktiviteti i Call Center-ave apo Forex këtu është aktivitet i hershëm. Pikërisht se ka qenë i tillë jam detyruar në Komisionin e Ekonomisë të kërkoj shpjegime nga autoritetet dhe mbi të gjitha nga AMF, autoriteti i ndalimit të pastrimit të parave dhe Policia e Shtetit.”
Ai bëri të ditur se vetëm dy muaj më parë ka kërkuar një angazhim më të gjerë institucional: “Kam kërkuar të zhvilloj një seancë të përbashkët përfshirë AMF, Tatimet, Policinë e Shtetit me sektorin e Krimit Kibernetik, për të goditur këtë fenomen në territorin e Shqipërisë.”
Sipas deputetit socialist, aktiviteti ka qenë në vëmendje të institucioneve shqiptare, por ai theksoi qartë se përgjegjësia nuk është shtetërore: “E them me plot gojë se ky nuk është krim shtetëror, por i personave individualë që merren me këtë mashtrim të qytetarëve evropianë nga territori i Shqipërisë.”
Braçe kërkoi një reagim më të fortë nga agjencitë ligjzbatuese, duke nënvizuar ndikimin negativ që këto aktivitete kanë në imazhin e vendit: “Ajo që duhet kërkuar me forcë është që agjencitë ligjzbatuese të merren me këtë fenomen dhe ta godasin, sepse turpëron dhe shkatërron imazhin e Shqipërisë në raport me qytetarët e BE, që janë treguar bujarë që nga viti 1991 me këtë vend.”
Në fund, ai kritikoi edhe mënyrën se si trajtohen publikisht këto ngjarje: “Mënyra si tregohen ngjarjet këtu është edhe abuzive, histori e denjë për Hollivudin që ka bërë filma për këtë fenomen. Unë nuk kam ndërmend të merrem me filma. Në këtë sallë do merrem me faktet nga fillimi në fund.”
and then