
Zhvillime të reja kanë dalë në dritë lidhur me vdekjen e 19-vjeçares shqiptare, Myrto në Argostoli të Kefalonisë, ndërsa hetimet po thellohen dhe hedhin dritë mbi rolin e personave që ndodheshin pranë saj në momentet kritike. Sipas informacioneve të fundit, dyshohet se personat që ishin me të renë u përpoqën të fshehin lidhjen e tyre me viktimën, duke pretenduar se nuk e njihnin, edhe pse ajo ndodhej pa ndjenja pranë tyre. Një 23-vjeçar, i përfshirë në ngjarje, rezulton se ka telefonuar shërbimet e urgjencës, por ka dhënë një vendndodhje të ndryshme nga ajo ku ndodhej vajza.
Raportohet se ai deklaroi se kishte gjetur një vajzë të pavetëdijshme në rrugë, por vendi i raportuar nuk përputhej me vendin ku e kishin lënë shoqëruesit e saj. Ndërkohë, pranë 19-vjeçares ndodheshin edhe dy persona të tjerë, përfshirë një 26-vjeçar ish-peshëngritës. Dëshmitë tregojnë se të pranishmit u përpoqën të bindnin kalimtarët se nuk kishin asnjë lidhje me vajzën dhe se e kishin gjetur rastësisht, duke ruajtur këtë qëndrim edhe pas mbërritjes së ambulancës. Megjithatë, një gabim i rëndë rezultoi vendimtar për hetimet: telefonata për urgjencën u gjurmua në celularin e 23-vjeçarit, duke rrëzuar versionin e tij fillestar dhe duke e lidhur drejtpërdrejt me ngjarjen. Autoritetet janë duke analizuar komunikimet nga katër pajisje elektronike të lidhura me rastin, me shpresën se do të zbardhen më tej rrethanat dhe përgjegjësitë individuale.
Një nga personat e përfshirë, 26-vjeçari, i cili në të kaluarën ka qenë i suksesshëm në peshëngritje duke fituar medalje ari në një kampionat europian për të rinj, rezulton të jetë i njohur për autoritetet. Sipas raportimeve, ai ka qenë i përfshirë në një sërë incidentesh, përfshirë raste të dhunës fizike, kërcënimeve, posedimit të drogës, si dhe dëmtim prone. Madje, në një rast të fundit, thuhet se kishte tentuar të ngrinte një makinë policie për të liruar automjetin e tij të bllokuar.
Federata Helenike e Peshëngritjes ka sqaruar se ai nuk është më atlet aktiv dhe nuk ka licencë sportive, duke u distancuar nga çdo lidhje me të. Nga ana tjetër, nëna e tij ka mohuar kategorikisht pretendimet për përdorim droge, duke theksuar se djali i saj nuk ka qenë kurrë përdorues dhe duke kërkuar që analizat toksikologjike ta vërtetojnë këtë.
Dëshmi të reja dhe akuza të rënda
Sipas dëshmisë së 23-vjeçarit, natën e ngjarjes është përdorur kokainë dhe në një moment 19-vjeçarja është ndjerë keq. Ai pretendon se rreth orës 04:30, 26-vjeçari e ka marrë në krahë shqiptaren dhe e ka transportuar jashtë ndërtesës, duke e lënë në një park aty pranë. Pamje filmike thuhet se e tregojnë këtë moment, ndërsa më pas të përfshirët janë larguar nga vendi pasi kanë telefonuar ambulancën, duke mohuar çdo njohje me viktimën.
Ndërkohë, një tjetër zhvillim i rëndë ka dalë në pah, një grua ka denoncuar se në vitin 2022, 26-vjeçari dyshohet se i kishte hedhur një substancë në pije, duke e lënë pa ndjenja. Ajo nuk e kishte raportuar më parë ngjarjen, por vendosi të flasë pas rastit të Myrtos. Sipas saj, edhe vajza të tjera kanë bërë deklarime të ngjashme në polici. Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet pritet të hedhin më shumë dritë mbi një rast që ka tronditur opinionin publik në Greqi dhe më gjerë.
and then