“Procesi i integrimit në BE u bllokua prej imunitetit të Ballukut”, Zhupa për protestën e PD: Nuk përjashtohet asnjë skenar i revoltës

Deputetja e PD, Ina Zhupa, e ftuar në News24, ka komentuar situatën politike në vend, duke u ndalur edhe te protesta e paralajmëruar nga opozita për ditën e nesërme.

Zhupa u shpreh se mazhoranca ndodhet në një moment të vështirë politik, duke e lidhur këtë me zhvillimet e fundit dhe raportet me Bashkimin Europian.

“Mazhoranca ndodhet në një moment shumë të vështirë politik. Kini parasysh se janë mbyllur dyert e integrimit për mosvotimin që i bënë imunitetit të Belinda Balluku. Në shtetet e BE flitet për korrupsionin e qeverisë Edi Rama, flitet për protestat e opozitës, flitet në Itali për skandalin me call center-a, në çdo vend tjetër ka një skandal që lidhet me qeverisjen e Edi Ramës. BE dje tërhoqi vëmendjen për ligjin me porosi të porteve që miratoi mazhoranca,” deklaroi ajo.

Duke folur për protestat e opozitës, Zhupa theksoi se ato nuk janë të reja dhe se kërkesat kanë mbetur të njëjta, por janë shtuar arsyet për të protestuar. “Opozita nuk ka protestën e saj të parë. Kemi që në dhjetor që protestojmë dhe kërkesa është e njëjtë. Ajo që ndryshon radhë pas radhe është se shtohen arsyet pse duhet protestuar, shtohen problemet e Shqipërisë. Në dhjetor dhe ende sot protestojmë për një qeveri teknike, kjo kërkesë nuk ka ndryshuar,” u shpreh ajo.

Sipas deputetes, situata aktuale ka agravuar më tej për shkak të çështjeve të integrimit dhe zhvillimeve politike. “Por ka ndryshuar fakti se në dhjetor flitej se duhej t’i hiqej zv/kryeministres asokohe, ndërsa sot kemi një bllokim të integrimit evropian për mos heqjen e imunitetit të deputetes sot Belinda Balluku. Sot kemi një diskutim ku çmimi i naftës është bërë më i shtrenjti në Europë,” tha Zhupa.

Sa i përket protestës së paralajmëruar, ajo nuk dha detaje konkrete për skenarin, por paralajmëroi pjesëmarrje të lartë. “Skenarët e protestës do i shikoni. Kemi provuar disa metoda dhe forma. Është për t’u parë nesër. Qytetarët do jenë të shumtë, protesta do jetë masive dhe ajo nuk ndryshon kërkesën e saj për një qeveri tranzitore dhe qytetarët nuk tërhiqen,” përfundoi Zhupa.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×