
Deputetja e Partia Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur shqetësime për mungesën e transparencës në procesin e integrimit europian gjatë një seance parlamentare.
Ajo u shpreh se gjatë diskutimeve pati një debat të gjatë mbi integrimin dhe nevojën për informim më të qartë ndaj opozitës dhe qytetarëve. Sipas Tabakut, qeveria duhet të kishte njoftuar opozitën që në fillim të sesionit për ecurinë e negociatave dhe sfidat që shoqërojnë këtë proces.
Deputetja theksoi se integrimi është një proces jo vetëm teknik, por edhe politik, ndaj publiku duhet të dijë saktësisht se çfarë po negociohet në Bruksel dhe nëse ekzistojnë pengesa konkrete në hapjen apo mbylljen e kapitujve.
Ajo ngriti pikëpyetje konkrete, duke përmendur nëse vendime të caktuara, si projektet për portet e jahteve apo çështje të lidhura me imunitetin e zyrtarëve të lartë, mund të ndikojnë në kapituj të ndryshëm të negociatave. Në përfundim, Tabaku kërkoi më shumë transparencë dhe informim të vazhdueshëm, duke theksuar se qytetarët shqiptarë kanë të drejtë të dinë çdo detaj që lidhet me rrugën e vendit drejt Bashkimit Europian.
“Gjatë seancës së kaluar patëm një debat të gjatë për integrimin, për transparencën që duhet të ketë. Kam kërkuar që në nisje të sesionit që të njoftonit dhe opozitën për procesin e integrimit. Kemi kërkuar transparencë. Ky proces është politik dhe qytetarët shqiptarë duhet ta dinë se çfarë po negociohet sot në Bruksel, nëse ka apo jo pengesa. Duhet ta dinë nëse miratimi i porteve të jahteve është pengesë për kapitullin 5 apo 27 apo 14 Qytetarët duhet ta dinë nëse mosvotimi i imunitetit të ish-zv.kryeministres është bërë pengesë për integrimin. Jepni informacion dhe bëni transparencë.”, tha ajo.
and then