Nga festë në tragjedi, rreziku i fishekzjarreve të pakontrolluara

Fishekzjarret janë simbol i festës, i fitores dhe gëzimit në ngjarje të rëndësishme. Ato krijojnë emocione pozitive, por kur përdoren pa përgjegjësi, nga një shenjë feste mund të shndërrohen në burim rreziku, madje edhe tragjedie.

Prej kohësh, veçanërisht në Tiranë, është bërë shqetësuese hedhja e fishekzjarreve në orët e vona të natës pranë banesave, nga persona të papërgjegjshëm. Ky fenomen, përveçse prish qetësinë publike dhe pushimin e qytetarëve, përbën edhe një rrezik real për sigurinë.

Banorë të zonave të ndryshme raportojnë zhurma të forta që shpesh zgjasin deri pas mesnate, duke krijuar stres, ankth dhe shqetësim, sidomos për familjet me fëmijë të vegjël dhe të moshuarit.

Për më tepër, përdorimi i pakontrolluar i fishekzjarreve në ambiente urbane shton ndjeshëm rrezikun për shpërthim zjarresh, sidomos në zona të dendura me ndërtesa.

Ngjarje tragjike të lidhura me përdorimin e pakujdesshëm të mjeteve piroteknike janë regjistruar edhe në vende të tjera të botës, duke treguar se pasojat mund të jenë fatale, siç ishte tragjedia e Kransmontanës me 40 viktima dhe dhjetëra të plagosur, apo në klubin e natës në Koçan të Maqedonisë ku humbën jetën 59 të rinj dhe u plagosën dhjetëra të tjerë. Këto janë 2 nga rastet tragjike që duhet të shërbejnë si një paralajmërim serioz për institucionet dhe shoqërinë.

Qytetarët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet për të forcuar kontrollin dhe për të ndëshkuar shkelësit, si dhe për të rritur ndërgjegjësimin publik mbi rreziqet që sjell përdorimi i pakontrolluar i fishekzjarreve. Ata bëjnë thirrje për më shumë qetësi dhe përgjegjshmëri, duke theksuar se siguria dhe mirëqenia e përbashkët duhet të jenë prioritet.

Në fund, duhet ripërsëritur se fishekzjarret nuk janë thjesht një mjet argëtimi, sepse ajo që nis si festë mund të përfundojë në tragjedi brenda pak sekondash.

Prandaj, është e rëndësishme që shteti të veprojë sa më parë dhe me përgjegjësi të plotë, në mënyrë që dritat e festës të mos kthehen në flakë që rrezikojnë sigurinë dhe jetën e njerëzve e të mos shkaktojnë tragjedi.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×