“Policia u kthye 20 vite pas”, gazetarja Lala: Skënder Hita duhet të marrë vendime drastike e të guximshme, ose të kapë valixhen dhe…

Gazetarja Klodiana Lala ka komentuar ndryshimet e fundit në Policia e Shtetit pas marrjes së detyrës nga drejtori i ri, Skënder Hita. Sipas Lalës, që në fillim të mandatit të tij, Hita ka ndërmarrë një sërë lëvizjesh, duke përfshirë shkarkime dhe emërime të reja në strukturat e policisë. Një nga sfidat kryesore, sipas saj mbetet emërimi i 12 drejtorëve të qarqeve.

Në emisionin “Kjo Javë” në News24, ajo u shpreh skeptike për proceset e përzgjedhjes, duke theksuar se në një realitet ideal do të mbështeste konkurset e hapura, por shtoi se situata në Shqipëri është ndryshe.

Ndër vendimet e para të Hitës, Lala përmendi largimin e shefit të Operacionales dhe emërimin në këtë post të Alban Dautit, i cili më parë ka shërbyer në strukturat e Antiterrorit. Gazetarja u shpreh kundër largimeve të menjëhershme të efektivëve nga strukturat, duke sjellë në vëmendje rastin e Artan Cuku, për të cilin tha se u la në mes të rrugës dhe më pas u vra. Lala theksoi se në radhët e policisë ka shumë efektivë të përkushtuar që kanë dhënë jetën në detyrë dhe që meritojnë mbështetje, ndërsa kritikoi lidhjet e disa zyrtarëve me elementë të inkriminuar.

Sipas saj, drejtori i ri përballet me sfida të shumta dhe duhet të ndërtojë një mekanizëm funksional për rikthimin e besimit dhe eficiencës në polici. “Kanë ndodhur disa ndryshime në Policinë e Shtetit sapo zoti Hita ka marrë detyrën, siç janë shkarkimet apo emërimet e reja. Sfidë është emërimi i 12 drejtorëve të qarqeve. Nëse do të ishte një vend që do të bënte konkurse të mira, do të isha për të tilla. Por jemi në Shqipëri dhe jo në Zvicër. Hita bëri ndryshimet e para, largoi shefin e Operacionales. Çoi aty Alban Dautin që ishte më herët te Antiterrori. Ka larguar disa drejtorë që thuhet se ishin njerëz të Prodës. Ka sfida dhe shumë çështje para. Nuk jam dakord me largimin e njerëzve nga institucionet ku një zyrtar policie hidhet në rrugë. Si në rastin e Artan Cukut, që u hodh në mes të rrugës dhe u vra. Kemi efektivë që kanë dhënë jetën që punojnë me përkushtim. Se kam betejën me ata njerëz të ndershëm të policisë, por me disa zyrtarë të lidhur me të inkriminuar. Do të duhet të ndërtohet një mekanizëm që të funksionojë. Policia ishte kthyer 20 vite pas. Do të duhet kohë që ta kthejë në shina dhe drejtimin e duhur. Njerëzit e duhur nuk mungojnë. I duhet dhe pak kohë! E ka shansin e tij të jetës këtë detyrë. Pasi kur e përfundon detyrën e drejtorit, je jashtë Policisë së Shtetit. Ndaj do të duhet të marrë vendime drastike dhe të guximshme. Ose do të duhet të marrë valixhet dhe të largohet.”, pohoi gazetarja Lala.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×