
Në seancën e sotme në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani, ka përsëritur kërkesën që klienti i tij të mos mbahet më në ambientin e mbyllur me xham gjatë procesit gjyqësor.
Sipas tij, ky trajtim përbën një formë poshtërimi dhe cenon dinjitetin e të pandehurit në sallën e gjyqit.
“Vetëm ISIS i poshtëronte kështu njerëzit. Është për turpin e të gjithëve, për turpin e drejtësisë së re ky lloj trajtimi”, u shpreh Cakrani, duke theksuar se në këto kushte komunikimi me klientin është i vështirë dhe jo i barabartë. Avokati shtoi se kërkesa e tij është e argumentuar ligjërisht dhe kërkoi nga gjykata që edhe vendimi të jetë i mbështetur në ligj. “Nuk bisedoj dot me presidentin për sa kohë ndahemi me xham. Ne nuk jemi të barabartë kështu”, tha ai, duke kërkuar ndryshim në mënyrën e trajtimit në sallë.
Cakrani solli gjithashtu si shembull raste të mëparshme gjyqësore në Shqipëri, duke përmendur figura të periudhës komuniste, të cilat sipas tij nuk janë trajtuar në këtë mënyrë, pavarësisht akuzave ndaj tyre.
Seanca vijon ndërkohë në GJKKO, ku pritet që gjykata të shqyrtojë kërkesat e palëve.
and then