
Vora dhe Bylisi janë skuadra të cilat këtë sezon në Superiore e nisën me idenë e qartë për të luftuar për mbijetesën në elitë. Dhe të dy skuadrat janë deri në fund ende në garë për të arritur këtë objektiv.
Sigurisht, për të siguruar mbijetesën duhen pikë dhe për të marrë 6 apo më shumë të tilla ndaj një skuadre tjetër, zakonisht është e vështirë. Por jo kur ato ndeshen me ekipet e kreut, pasi rezulton se Vora tashmë ka një bilanc më të mirë ndaj Elbasanit të vendit të parë dhe Bylisi ndaj Vllaznisë të vendit të dytë sa i përket këtij sezoni.
Vora ka marrë 6 nga 12 pikët e mundshme ndaj Elbasanit, duke e mposhtur në fazën e parë dhe të katërt, teksa është mundur në dy sfidat e tjera. Meqë vetëm ndeshja e fundit u nda me dy gola diferencë në favor të Vorës, bilanci i sezonit mes dy skuadrave praktikisht flet në favor të debutuesve në Superiore.
Ndërkohë, Bylisi ka bërë dhe më mirë ndaj Vllaznisë, të cilës i ka marrë 7 pikë nga 12 të mundshme. Shkodranët fituan në fazën e parë në Ballsh, ndërsa ndeshja e fazës së dytë u ndal në barazim. Në fazën e tretë dhe të katërt Bylisi regjistroi fitore radhazi ndaj shkodranëve që e ndihmuan që të mbetej në garë për mbijetesën.
and then