
Familja e Marko Pantani nuk do të kundërshtojë kërkesën për pushimin e hetimeve të paraqitur nga prokurorja Patricia Foiera, në lidhje me hetimin për “organizatë kriminale me tipare mafioze të lidhur me vdekjen e Marko Pantanit”. Kjo u bë e ditur për “LaPresse” nga avokatët Alberto dhe Fiorenzo Alesi, përfaqësues ligjorë të prindërve të kampionit italian të çiklizmit, Tonina dhe Paolo Pantani.
Nën hetim ishte hija e Kamorrës, e cila dyshohej se kishte ndërhyrë për t’i mohuar fitoren Pantanit në Xhiron e Italisë të vitit 1999. Mëngjesin e 5 qershorit, 26 vite më parë, në Madona di Kampilio, kur “Pirati” kryesonte bindshëm renditjen e përgjithshme, një kontroll i papritur i gjakut e përjashtoi nga gara. Ndër të tjera në deklaratën e familjes Pantani, theksohet se Marko u braktis nga njerëzit ku kishte besim.
“Nëse merret parasysh, siç shkruan Prokuroria e Trentos pas një pune hetimore të kujdesshme dhe të përpiktë, se pas ngjarjes së Madona di Kampilio, Marko Pantani u la vetëm jo vetëm nga institucionet e çiklizmit, por edhe nga struktura e vetë skuadrës së tij, e cila duhej ta mbronte si njeri dhe si pasuri sportive e ekonomike.
Nëse merret në konsideratë fakti, i evidentuar dhe në një farë mënyre i stigmatizuar nga prokurorja e Trentos, se edhe gjatë hetimeve të fundit askush nga ata që mbanin role drejtuese dhe operative në ekipin e tij nuk pranoi të jepte ndonjë kontribut apo provë, atëherë duhet të arrihet në përfundimin se Marco Pantani u braktis në vetmi dhe, në thelb, u tradhtua nga njerëz tek të cilët kishte besim. Besimi ishte një ndjenjë jetike për Pantanin, ashtu si mirënjohja dhe miqësia, vlera të rralla në atë ambient ku ndodhën ngjarjet që më pas çuan në vdekjen e tij”, shkruajnë avokatët e legjendës së çiklizmit.
and then