
Lëvizje të shumta dhe shumë paqartësi në shtëpinë e Milanit për pankinën e sezonit të ardhshëm. Emri që dukej më pranë kuqezinjve, Andoni Iraola, po largohet gjithnjë e më shumë nga “San Siro”. Trajneri spanjoll pritet të vazhdojë aventurën në Premier League, me Crystal Palace që duket shumë pranë marrëveshjes finale.
Sipas mediave italiane, mungesa e Milanit në Champions League, paqartësitë në nivel drejtues dhe dëshira familjare për të qëndruar në Angli kanë ndikuar në vendimin e ish-trajnerit të Bournemouth për t’i thënë “jo” ofertës kuqezi.
Situata ka detyruar drejtuesit e Milanit të rikthehen te alternativat. Në krye të listës ka dalë Oliver Glasner. Austriaku, që sapo fitoi Conference League me Crystal Palace, mund të largohet nga klubi londinez dhe të përfundojë në pankinën e Milanit, sidomos nëse Ralf Rangnick emërohet drejtori i ri teknik i kuqezinjve. Rangnick vlerëson prej kohësh punën e Glasner, që nga koha e bashkëpunimit në projektin Red Bull, dhe ai konsiderohet një nga favoritët për të marrë drejtimin e skuadrës.
Por lista e kandidatëve nuk mbyllet këtu. Në skenë rikthehet edhe emri i Xavi Hernández. Ish-trajneri i Barcelonës, aktualisht pa ekip, mbetet një profil që pëlqehet nga Zlatan Ibrahimović, me të cilin ka ndarë edhe dhomat e zhveshjes në kohën te Barcelona.
Mes alternativave përmendet edhe Mauricio Pochettino, edhe pse angazhimi i tij me kombëtaren e Shteteve të Bashkuara dhe Botërori i vitit 2026 e komplikojnë operacionin.
Më pas vjen Thiago Motta, një emër që Milani e kishte konsideruar edhe pas largimit të Stefano Piolit, ndërsa Mark van Bommel, megjithëse më i tërhequr nga skena, vazhdon të ketë mbështetjen e Ibrahimović.
Ndërkohë, në Milano vazhdon pritja për vendimet e mëdha që do të përcaktojnë të ardhmen e klubit dhe projektin teknik për sezonin e ri.
and then