
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) i ka dhënë një goditje të fortë vendimeve të mëparshme të SPAK-ut, duke rrëzuar pjesërisht sekuestrot preventive të vendosura mbi llogari bankare, asete shoqërish dhe pasuri të paluajtshme me vlerë miliona euro, ku e përfshirë në ankimime është edhe ish-drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj.
Në vendimin e zbardhur ekskluzivisht sot më 2 qershor 2026, gjyqtari monokratik Florjan Kalaja ka shqyrtuar ankimimet e bëra nga personat nën hetim me inicialet A.P, M.K (Mirlinda Karçanaj), E.B, A.K, si dhe disa shoqërive private, duke ndryshuar masat e sigurisë pasurore të dhëna në shkallë të parë më 20 prill.
Nga ky vendim i Apelit, urdhërohet Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) dhe Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara që të heqin menjëherë bllokimet mbi shumat marramendëse që prekin disa kompani të fuqishme, si dhe pasuri të llojit apartament.
EMRAT/ Kush janë personat që u lirohen llogaritë dhe pasuritë
Sipas të dhënave të detajuara nga vendimi i gjykatës, Apeli ka pranuar kërkesat e disa prej emrave të njohur të përfshirë në këtë dosje voluminoze, duke urdhëruar kthimin e aseteve:
Gëzim Hoxha: Rrëzohet sekuestroja e Prokurorisë së Posaçme mbi asetet e shoqërisë private në shumën 123.629.664 Lekë.
Andis Papa: Lirohen nga bllokimi shumat të dy subjekteve të ndryshme, respektivisht në vlerat 410.595.663 Lekë dhe 94.423.883 Lekë.
Elision Jorgji: Gjykata ka rrëzuar sekuestron preventive të vendosur ndaj aseteve të kompanisë së tij në shumën prej 100.840.264 Lekë.
Ergys Agasi: Apeli ka ndryshuar vendimin e Shkallës së Parë duke urdhëruar lirimin dhe heqjen e sekuestros për pasurinë e llojit apartament të ndodhur në një objekt disakatësh në Tiranë.
Ndërsa miliona euro të kompanive të mësipërme janë liruar nga Apeli, pjesa tjetër e dosjes nuk ka ndryshuar. Gykata ka vendosur miratimin e pjesës tjetër të vendimit të datës 20 prill 2026.
Pasuritë dhe asetet e tjera nën hetim vijojnë të mbeten nën sekuestro të rreptë preventive, përfshirë këtu edhe pasuritë e shtetasit Ermal Beqiri (E.B.), për të cilin gjykata ka lënë në fuqi bllokimin e kërkuar nga SPAK.
and then