
Prokuroria e Beratit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq tre shtetas, pas zbardhjes së një rasti të dyshuar të shfrytëzimit të prostitucionit.
Në njoftimin zyrtar bëhet me dije se shtetasit me iniciale R.L. dhe E.V. akuzohen për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”, kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, ndërsa shtetasi K.D. është dërguar në gjyq për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Hetimet kanë provuar se R.L. dhe E.V. kanë organizuar dhe mundësuar shfrytëzimin për prostitucion të shtetases me iniciale Y.Sh.
Nga dëshmia e saj rezulton se ajo ushtronte prostitucion, ndërsa bashkëjetuesi i saj, R.L., ishte në dijeni të plotë të kësaj veprimtarie, merrte të ardhurat e përfituara dhe, në disa raste, i siguronte edhe klientë. Vetë R.L. ka pranuar gjatë hetimeve se e kishte shtyrë bashkëjetuesen të ofronte shërbime seksuale kundrejt pagesës për shkak të vështirësive ekonomike.
Sipas organit të akuzës, klientët i siguroheshin nga E.V., pronar i lokalit të natës “Star”, ku Y.Sh. ishte punësuar si balerinë. Prokuroria pretendon se punësimi i saj ishte përdorur si mbulesë për ta shfrytëzuar seksualisht për klientët e lokalit, me qëllim përfitimin financiar.
Nga hetimet rezulton se R.L. kishte rolin kryesor në organizimin e veprimtarisë, duke përcaktuar klientët, vendin ku do të ofroheshin shërbimet seksuale, çmimet dhe duke përfituar materialisht nga kjo veprimtari. Ndërkohë, E.V. dyshohet se ka ndihmuar në realizimin e skemës duke vënë në dispozicion ambientet dhe duke ndërmjetësuar klientët.
Njoftimi i Prokurorisë:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Berat përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasit R.L., E.V. për veprën penale ‘Shfrytëzim i prostitucionit’ parashikuar nga neni 114/2 të Kodit Penal, si dhe shtetasin K.D., i akuzuar për ‘Moskallëzim të krimit’ parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal.
Nga hetimet mbi procedimin penal nr.256 të vitit 2025, u provua se të pandehurit R.L., E.V. dhe K.D., kanë kryer veprat penale për të cilën u akuzuan.
Nga të gjitha rrethanat e faktit dhe provat e mbledhura, u provua tej çdo dyshimi të arsyeshëm se të pandehurit R.L., dhe E.V., me anë të veprimeve konkrete kanë bërë të mundur të shfrytëzojnë shtetasen Y.Sh për prostitucion. Nga deklarimi i kësaj shtetase rezultoi se ajo ka ushtruar prostitucion dhe bashkëjetuesi i saj, R.L., ka pasur dijeni pasi ai i merrte lekët e përfituara nga veprimtaria kriminale kur kjo shkonte në shtëpinë që bashkëjetonin. Ajo ka sqaruar se klientët ia siguronte shtetasi E.V., i cili ishte pronar i lokalit të natës “Star”, ku ishte e punësuar si balerinë.
I pandehurit R.L., pranoi se e ka shtyrë bashkëjetuesen e tij të ofronte shërbime seksuale për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike. Me raste e ka ndihmuar për t’i gjetur ndonjë klient për të kryer marrëdhënie seksuale kundrejt pagesës.
Nga të gjitha rrethanat e faktit dhe provat e mbledhura të analizuara si më sipër provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm që të pandehurit R.L. dhe E.V., kanë realizuar veprën penale të shfrytëzimit të prostitucionit. Ata kanë vepruar në bashkëpunim për kryerjen e veprës penale të “Shfrytëzimi i prostitucionit” në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, të parashikuar nga neni 114/2 i Kodit Penal.
I pandehuri R.L., në cilësinë e organizatorit dhe ekzekutorit ka ndërmarrë të gjitha veprimet e mundshme që vepra penale të realizohet plotësisht, duke i siguruar klientët bashkëjetueses së tij për të kryer veprën penale, duke marrë përfitime materiale nga kjo veprimtari, duke përcaktuar vendin ku do ushtronte prostitucionin viktima e veprës penale si dhe duke përcaktuar çmimin që do paguanin klientët për përfitimet seksuale që do të përfitonin nga viktima. Ndërsa i pandehuri E.V. në rolin e ndihmësit, ka ndërmarrë hapat për ta realizuar plotësisht veprën penale. Ai ka marrë në punë shtetasen Y.Sh., pasi ka rënë dakord me bashkëjetuesin e saj, duke e kamufluar në rolin e valltares, për ta shfrytëzuar për klientët që vinin në ambientet e klubit të tij, me qëllim përfitimi.
and then