
Një aksident i rëndë rrugor është shënuar në autostradën Lushnjë–Rrogozhinë, në zonën e fshatit Zhamë-Sektor, ku një automjet tip fuoristradë ka përplasur një këmbësore që po kalonte rrugën.
Sipas informacioneve paraprake, e aksidentuara është Bajame Ramazani, 75 vjeçe, banuese në Zhamë-Sektor. Ajo po kalonte autostradën nga njëra anë në tjetrën për të shkuar drejt tokave të saj bujqësore, duke kaluar mbi trafikndarëse, vetëm rreth 50 metra larg një mbikalimi.
Përplasja ka qenë tepër e fortë, ndërsa e moshuara ka pësuar plagë të rënda. Ajo është transportuar me urgjencë nga ambulanca në Spitalin e Lushnjës, ku ndodhet në gjendje kritike për jetën dhe nën kujdesin intensiv të mjekëve.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat kanë nisur dokumentimin e plotë të aksidentit dhe po punojnë për disiplinimin e trafikut në zonë. Ndërkohë, drejtuesi i fuoristradës është shoqëruar nga policia deri në sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Sipas të dhënave të para, 75-vjeçarja kishte tentuar të kalonte autostradën për të shkuar në pronat e saj në anën tjetër të rrugës. Edhe pse në këtë segment ndodhet një mbikalim për këmbësorët, banorët e zonës shpesh zgjedhin të kalojnë autostradën në mënyrë të paligjshme, për shkak të interesave të tyre ekonomike dhe afërsisë me tokat bujqësore.
and then