Tenis/ Suksesi për të dytin vit radhazi në Wimbledon, Sinner “blindon” primatin në renditjen ATP

Tenisti italian Jannik Sinner është shpallur të dielën fitues i grand slam-it të Wimbledon, duke mbrojtur titullin e fituar një vit më parë. Ky është titulli i dytë për 25-vjecarin italian në turneun më të rëndësishëm në botë në fushat me bar.

Në finalen e luajtur në Londër, tenisti italian mundi 3-1 me përmbysje gjermanin Alexander Zverev (6-7, 7-6, 6-3, 6-4). Një ndeshje që zgjati 3 orë e 45 minuta, që nisi më mirë për Zverev, që fitoi setin e parë, por më pas erdhi përmbysja e Sinner, që e meritoi fitoren. Për Sinner, numrin 1 në botë për meshkuj, ky është grand slam i pestë i fituar në karrierën e tij. Edhe pse vuajti në dy setet e para, ai arriti më pas të komandojë në fushë, duke qenë sërish një “mace e zezë” për Zverev, që vinte pas triumfit në Roland Garros muajin e kaluar.

Ndeshja dhuroi emocione në dy setet e para, të vendosura në “tie break”. Më pas, italiani merr frenat e lojës dhe arrin të fitojë nga një “game” me shërbimet e Zverev, duke mos humbur asnjë “game” me shërbimet e tij. Gjermani pati edhe një dëmtim në setin e tretë, por pa probleme.

Një sukses që konfirmon edhe njëherë tjetër se përse Sinner mbetet numri 1 në renditjen ATP dhe në pritje të rikthimit në turnetë e rëndësishëm të tenisit të spanjollit Carlos Alcaraz, duket se primati do të jetë i garantuar për italianin.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×