Me pagën blen gjithmonë e më pak, fuqia blerëse bie me 170 euro nga 2020 në 2026

Rritja e pagave në Shqipëri vijoi trendin pozitiv në terma nominalë, por kur korrigjohet për inflacionin, paga reale për punonjësit mbetet dukshëm më e ulët.

Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se hendeku mes pagës nominale dhe asaj reale është zgjeruar ndjeshëm nga viti në vit, duke reflektuar presionin e vazhdueshëm të çmimeve mbi të ardhurat.

Në tremujorin e parë të vitit 2026, paga mesatare mujore bruto arriti në 90,119 lekë, me rritje vjetore 9.6%. Në pesë vite paga nominale u rrit me 60%. Por e njëjta pagë, e matur me fuqinë reale blerëse, rezultoi në tre-mujorin e parë të këtij viti 73,822 lekë me rritje vjetore 7 për qind.

Hendeku ndërmjet pagës reale dhe asaj nominale arriti në 16,297 lekë më shumë se 170 euro në tremujorin e parë 2026, me një zgjerim rreth 23 % nga e njëjta periudhë e 2025.

Paga reale mesatare mujore bruto është indeksuar me inflacionin (2020=100) nga INSTAT. Kjo do të thotë se me rreth 90 mijë lekë, një shqiptar blen sot të njëjtat mallra që në vitin 2020 i blinte me rreth 73,822 lekë.

Diferenca mes pagës nominale dhe asaj reale ka ndjekur një trajektore rritëse. Në fillim të vitit 2021, hendeku ishte vetëm 1,224 lekë. Ky diferencë u zgjerua ndjeshëm gjatë vitit 2022, duke kaluar mbi 6,600 lekë në fund të vitit, në një periudhë kur ekonomia u përball me rritje të fortë të çmimeve.

Në vitin 2023 dhe 2024, ndonëse pagat vijuan të rriten, edhe inflacioni mbeti një faktor i rëndësishëm, duke bërë që diferenca të thellohet më tej. Kulmi i këtij hendeku arriti këtë vit, pasi në tremujorin e parë të 2026, diferenca mes pagës nominale dhe reale arriti në 16,297 lekë, niveli më i lartë i regjistruar.

Ky zhvillim sugjeron se pagat po rriten, por fuqia për të blerë mallra dhe shërbime nuk po ndjek të njëjtin ritëm.

Duket se rritja e pagave në vetvete është bërë shkak për rritjen e çmimeve. Politika e pagave si në sektorin publik dhe atë privat nuk është mbështetur nga faktorët e produktivitetit por nga presionet në tregun e punës dhe nga emigrimi i fortë i punonjësve.

Rritja e pagave ka ushtruar presion për rritjen e konsumit në kohë që prodhimi vendas nuk ka ndjekur të njëjtin trend, duke u bërë shkak për inflacion.

Në këto zhvillime po goditen rëndë pensionistët ndaj të cilëve nuk ushtrohen politika të tjera përveç indeksimeve me inflacionin mesatar./ Monitor



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×