
Kryeministri britanik Andy Burnham ka mbledhur kabinetin në Douning Street, përpara paraqitjes së tij të parë në Dhomën e Komunëve që prej marrjes së detyrës.
Burnham, i cili ka gjashtë javë në postin e kryeministrit, do të rikthehet sot në Parlament, ku do të përballet për herë të parë me pyetjet e deputetëve në rolin e kreut të qeverisë. Seanca e re parlamentare nis në orën 14:30, ndërsa deklarata e parë e tij si kryeministër në Dhomën e Komunëve pritet të mbahet gjatë pasdites.
Para kësaj, kabineti qeveritar është mbledhur në Douning Street për takimin e rregullt, ndërsa ministrat pritet të diskutojnë edhe çështjet më urgjente me të cilat përballet qeveria.
Një prej problemeve kryesore mbetet kriza e kapaciteteve në burgjet e Anglisë dhe Uellsit, të cilat janë aktualisht më shumë se 97% të mbushura. Përballë mungesës së hapësirës, qeveria ka rishikuar disa herë skemën për lirimin e parakohshëm të të burgosurve.
Ministria e Drejtësisë ka njoftuar së fundmi se hapësira të papërdorura brenda burgjeve, përfshirë dhomat e lavanderive, mund të shndërrohen në qeli për të krijuar vende të reja.
Sekretari i Drejtësisë, Alex Norris, tha se kjo masë nuk përbën zgjidhjen përfundimtare të problemit. Ai deklaroi se qeveria do të ndërtojë edhe burgje të reja, ndërsa vlerësoi se transformimi i hapësirave ekzistuese mund të krijojë nga rreth 200 deri në 900 vende të reja.
Norris theksoi gjithashtu se ndryshimet nuk do të sjellin një zgjidhje të menjëhershme të krizës dhe se ndikimi më i madh në kapacitetet e burgjeve pritet të vijë nga dëbimi i shtetasve të huaj që kanë kryer vepra penale.
Qeveria po planifikon gjithashtu lirimin e disa të burgosurve që vuajnë dënime të pacaktuara, të njohura si IPP, një kategori dënimi e hequr në vitin 2012, por që ende prek disa persona të dënuar më parë. Planet kanë shkaktuar shqetësim te opozita. Sekretari në hije për Drejtësinë, Nick Timothy, paralajmëroi se ekziston rreziku që në kuadër të skemës të lirohen edhe persona që mund të konsiderohen të rrezikshëm.
and then