
Detaje dhe prapaskena rreth arrestimit të Eno Agasit, kushëririt të biznesmenit Ergys Agasi, janë zbuluar nga gazetarja investigative Klodiana Lala në emisionin “Kjo Javë” në News24. Lala zbardhi hapat ligjorë që çuan në prangosjen e tij, lidhjen me dosjen e tenderave të AKSH-it dhe skandalin e zhdukjes së verës luksoze me vlerë deri në 3 milionë euro.
Gazetarja Lala sqaroi se fillimisht urdhërarresti për Eno Agasin u lëshua nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, përpara se dosja t’i kalonte SPAK-ut për kompetencë.
“Eno Agasi fillimisht u arrestua nga Policia e Tiranës mbi bazën e një urdhër arresti të firmosur nga prokurori i Tiranës Bledar Valikaj. Duhet të kemi parasysh që në dhjetor të vitit 2025 kur Prokuroria e Posaçme firmosi urdhër arrest për Ergys Agasin, Ermal Beqirin, ish-drejtoreshën e AKSH-it në atë kohë në detyrë zonjën Karçanaj, por edhe ish-zëvendës drejtoreshën e AKSH-it Hava Delibashi… u ushtruan kontrolle në vilat dhe në resortin Ekos që në atë kohë kishte në përdorim Ergys Agasi,” kujtoi Lala.
Gjatë këtij kontrolli, agjentët e BKH-së dhe policia zbuluan një kantinë të mirëfilltë me pije shumë të shtrenjta, por për shkak të orarit nuk mund ta transportonin menjëherë.
“Gjatë kontrolleve u zbulua një kantinë me verëra shumë të shtrenjta që shkonte nga 1 milion deri në 3 milion… vlera deri në 3 milion euro ishte vlera e verës që u sekuestrua dhe për shkak se ishte e pamundur për t’u transferuar për shkak të orës së vonë edhe transportit specifik… malli i sekuestruar u la në ruajtje dhe nuk duhet të lëvizej. Eno Agasi përgjatë natës e zhduku verën… e zhduk verën dhe për këtë arsye u shpall në kërkim dhe nisi hetimi penal,” tregoi me detaje gazetarja.
Sipas saj, kalimi i çështjes te SPAK u bë sepse ka dyshime se Eno Agasi ka vepruar si pjesë e grupit të strukturuar kriminal:
“Ditën e djeshme, pra të premten, gjykata caktoi masën e sigurisë arrest në burg, ja komunikoi Eno Agasit dhe vendosi ta kalonte çështjen për kompetencë të Prokurorisë së Posaçme. Së pari sepse ka dyshime të ngrihen akuza të tjera ndaj dy kushërinjve Agasi… ka dyshime që Eno Agasi vepronte për llogari të grupit të strukturuar kriminal të krijuar nga kushëriri i tij.”
Klodiana Lala denoncoi faktin se si Ergys Agasi lëvizte lirshëm pa u shqetësuar nga forcat e rendit.
“Ergys Agasi është mbajtur në vëzhgim përpara se të arrestohej në zonën e Plepave në Durrës për afro dy javë… ai kishte ndikim të jashtëzakonshëm në Policinë e Shtetit dhe ka lëvizur në trajektoren Durrës, Tiranë, por edhe në Elbasan… Eno Agasi ditën që është caktuar masa e sigurisë ndaj Ergys Agasit në Gjykatën e Posaçme, ai ka qëndruar dy orë përpara Prokurorisë së Posaçme duke pritur për fatin e kushëririt dhe nuk është prekur nga policia.”
Ndër të tjera, Lala analizoi edhe përplasjet e forta mes figurave kryesore politike dhe biznesit të lidhur me to:
“Unë mendoj që zonja Balluku dhe zoti Rama vendosën në një moment të caktuar ta linin vetëm Ergys Agasin. Zonja Balluku për shkak të përplasjeve që ka me të, dhe janë përplasje të njohura dhe publike mes njëri-tjetrit, dhe unë mendoj që nën rrogoz ato po hakmerren ndaj njëri-tjetrit.”
Ajo citoi gjithashtu edhe një deklaratë të kryeministrit Rama si një goditje direkte ndaj Agasit:
“Zoti Rama tha në një moment: ‘nuk guxon askush të përmendë emrin tim dhe të bëjë punë në emrin tim’, dhe ishte shumë e qartë që ishte një mesazh për Ergys Agasin, sepse unë kam dyshime që Ergys Agasi mund të përdorte në momente të caktuara emrin e kryeministrit për qëllimet e tij.”
Në fund, Lala zbuloi se edhe gjatë qëndrimit në paraburgim ndaj Ergys Agasit është ushtruar kontroll, ku në qelinë e tij janë gjetur sende të ndaluara, përfshirë pije alkoolike dhe një pajisje wireless për komunikim.
and then