BKT dhe IdentiTek bashkëpunojnë për të sjellë pagesën e E-Kuponëve direkt në BKT Smart

Banka Kombëtare Tregtare dhe IdentiTek kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit për ofrimin e një shërbimi të ri digjital, i cili do t’u mundësojë klientëve të BKT të blejnë dhe paguajnë E-Kuponët e IdentiTek drejtpërdrejt përmes aplikacionit BKT Smart.

Përmes shërbimit të ri “E-Kupon IdentiTek”, klientët do të mund të zgjedhin llojin e kuponit që u nevojitet, të kryejnë pagesën nga llogaria e tyre bankare dhe të marrin Kuponin Elektronik, duke e përfunduar të gjithë procesin në mënyrë të thjeshtë, të shpejtë dhe të sigurt nga telefoni i tyre.

  • foto galeri

Shërbimi do të mbulojë E-Kuponët për aplikime të ndryshme të dokumenteve të identifikimit, përfshirë kartën e identitetit, pasaportën dhe lejen e qëndrimit, sipas kategorive të disponueshme nga IdentiTek.

Ky bashkëpunim synon të thjeshtojë një proces të përditshëm për qytetarët, duke reduktuar nevojën për t’u paraqitur fizikisht në pika pagese vetëm për blerjen e kuponit. Nëpërmjet BKT Smart, pagesa do të mund të kryhet kudo dhe në çdo kohë, duke u krijuar lehtësi të veçantë edhe klientëve që ndodhen jashtë Shqipërisë.

  • foto galeri

Drejtori i Përgjithshëm dhe Anëtar i Bordit Drejtues të BKT Z. Seyhan Pencabligil u shpreh:

“Vizioni ynë është ta zhvillojmë vazhdimisht BKT Smart në një super-aplikacion, ku klientët të mund të gjejnë në një vend jo vetëm shërbimet bankare, por gjithnjë e më shumë shërbime që u nevojiten në jetën e përditshme. Bashkëpunimi me IdentiTek është një tjetër hap konkret në këtë drejtim. Synimi ynë është që procese që tradicionalisht kërkojnë kohë dhe lëvizje fizike t’i sjellim gjithnjë e më pranë klientit, në mënyrë të thjeshtë, të shpejtë dhe të sigurt.”

  • foto galeri

Znj. Silda Anagnosti Çepe, Administratore e IdentiTek u shpreh se “IdentiTek po ndërton një ekosistem shërbimesh gjithnjë e më të thjeshta, të aksesueshme dhe të orientuara drejt nevojave të qytetarëve, duke zgjeruar vazhdimisht zgjidhjet digjitale dhe bashkëpunimet strategjike që e bëjnë ndërveprimin me shërbimet tona më të lehtë dhe të sigurt. Integrimi i pagesës së e-Kuponit në BKT Smart është një tjetër hap konkret në këtë drejtim”.

Me këtë shërbim, BKT bëhet banka e parë në Shqipëri që mundëson blerjen dhe pagesën e E-Kuponëve IdentiTek drejtpërdrejt nga një aplikacion bankar, duke zgjeruar më tej numrin e shërbimeve të disponueshme në BKT Smart.

Ky bashkëpunim reflekton angazhimin e përbashkët të BKT dhe IdentiTek për zhvillimin e shërbimeve digjitale, përmirësimin e eksperiencës së qytetarëve dhe krijimin e zgjidhjeve më të shpejta, më të aksesueshme dhe më efikase.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×