
Interi rikthehet te fitorja në kampionat pas humbjes në derbi me një paraqitje bindëse, duke mposhtur Comon me rezultatin 2-0 në San Siro. Zikaltrit e Cristian Chivut e zgjidhën praktikisht ndeshjen që në 20 minutat e para, duke treguar superioritet në lojë, intensitet dhe organizim taktik.
Golin e avantazhit e realizoi Pio Esposito në minutën e 10-të, pas një aksioni të bukur të nisur nga Thuram dhe pasimit të Spence nga krahu i djathtë, me sulmuesin italian që mposhti portierin Robert Sanchez. Vetëm në minutën e 19-të, Interi dyfishoi shifrat me Marcus Thuram, i cili përfitoi nga pasimi i Zielinskit, kontrolloi topin dhe me një goditje të saktë dërgoi topin në rrjetë.
Edhe në vazhdim, vendasit ruajtën kontrollin e plotë të takimit, duke mos i dhënë hapësira skuadrës së Cesc Fabregas për të shfaqur lojën e saj. Në pjesën e dytë, Dimarco iu afrua golit të tretë në dy raste, ndërsa Como provoi të reagonte përmes Nico Paz, por pa gjetur konkretizimin. Mundësia më e mirë për miqtë erdhi në minutat e fundit, kur goditja e argjentinasit u përplas në traversë.
Nga ana tjetër, Thuram vazhdoi të ishte një nga protagonistët kryesorë të takimit, duke rrezikuar edhe golin e tretë pas një aksioni individual mbresëlënës. Në fund, Interi administron me qetësi avantazhin dhe merr tri pikë të merituara, ndërsa Como pëson një humbje që i kushton edhe vendin e katërt në klasifikim, tashmë të marrë nga Milani.
Pas ndeshjes, trajneri i Interit, Cristian Chivu, vlerësoi reagimin dhe paraqitjen e skuadrës: “Kemi përballuar nëntë ndeshje në 27 ditë me energji, cilësi dhe rezultate pozitive. Përgëzime lojtarëve, treguan një paraqitje të jashtëzakonshme dhe reaguan në mënyrën e duhur.”
Në krahun tjetër, Cesc Fabregas pranoi superioritetin e zikaltërve: “Interi tregoi se është një skuadër e një niveli më të lartë dhe duhet ta pranojmë këtë. Nuk e nisëm mirë ndeshjen, por nuk duhet të kërkojmë justifikime, duhet të vazhdojmë përpara me punën tonë.”
and then