3 raste të tentativës për mitëdhënie ndaj Policisë Rrugore në Durrës, procedohen 3 shoferë

Tre drejtues automjetesh janë proceduar penalisht në Durrës dhe Kavajë, pasi dyshohet se u kanë ofruar para punonjësve të Policisë Rrugore për të shmangur ndëshkimin për shkelje të rregullave të qarkullimit.

Sipas njoftimit të Policisë, gjatë monitorimeve intensive në rrugët e Durrësit dhe Kavajës, shërbimet rrugore kanë konstatuar disa drejtues automjetesh që po kryenin shkelje të Kodit Rrugor.

Në dy raste të evidentuara në Durrës dhe në një rast në Kavajë, tre drejtuesit e mjeteve, të cilët kishin dokumentacion të parregullt, dyshohet se kanë tentuar të korruptojnë punonjësit e Policisë për të shmangur masat administrative.

Për këto raste, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit K. M., 47 vjeç, dhe E. A., 30 vjeç, të dy banues në Durrës, si dhe A. K., 35 vjeç, banues në Peqin.

Të tre dyshohen për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Policia Rrugore e Durrësit u ka bërë apel të gjithë përdoruesve të rrugës që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit, ndërsa ka ftuar qytetarët të denoncojnë çdo shkelje në numrin 112, duke u garantuar anonimat dhe reagim të menjëhershëm nga shërbimet e Policisë.



“Arena e Lajmit”

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×