
Një 30-vjeçar është arrestuar në flagrancë në Dibër, pasi transportonte me automjet taksi dy armë zjarri dhe municion luftarak. Nga hetimet paraprake dyshohet se armët i kishte marrë në zonën e Tufinës, në Tiranë, me qëllim dërgimin e tyre drejt Maqedonisë së Veriut përmes kufirit të gjelbër.
Operacioni policor i koduar “Taksia” u finalizua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, në bashkëpunim me Seksionin Operacional të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër. Në pranga u vu shtetasi A. T., banues në Durrës.
Gjatë kontrollit të automjetit taksi, në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Bllatës”, efektivët gjetën në sediljen e pasme një armë zjarri kallashnikov me 13 fishekë, si dhe një pistoletë me një fishek në fole dhe një tjetër në krehër.
Dy armët e zjarrit dhe municioni luftarak u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Sipas veprimeve të para hetimore, 30-vjeçari dyshohet se i kishte marrë armët në Tufinë, në Tiranë, dhe synonte t’i transportonte drejt Maqedonisë së Veriut, nëpërmjet kufirit të gjelbër.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër për veprime të mëtejshme.
and then