
Konflikti për pronat në fshatin Damës, në Njësinë Administrative Fratar, në Mallakastër, është bërë objekt i emisionit investigativ “Tak Fak”.
Pas denoncimit të Majlinda Durajt, e cila pretendon se bashkëfshatari i saj, Sabri Tare, i ka bllokuar rrugën që e lidh me tokën e saj dhe i ka mbjellë pronën me ullinj, në emision kanë mbërritur edhe ankesa të tjera ndaj tij.
Këtë herë, bëhet fjalë edhe për një të afërm të vetë Tares, djalin e xhaxhait të tij, i cili pretendon se ka pasur probleme me të për shkak të zaptimit të tokave.
“Nuk ngopet. Unë e kam kushëri të parë, por nuk rri dot. Grabit… Është njeri i pafytyrë”, është shprehur ai për “Tak Fak”.
Ndërkohë, emisioni ka kërkuar informacion edhe pranë specialistit të Kadastrës, Dilaver Kapllanaj, i cili ka deklaruar se nuk kanë dijeni se në çfarë faze ndodhet procesi gjyqësor për këtë çështje.
“Tak Fak” i është drejtuar gjithashtu Bashkisë Mallakastër për të kërkuar një zgjidhje institucionale, por sipas emisionit, përgjigjja e marrë ka qenë që palët t’i drejtohen gjykatës.
Kështu, pavarësisht denoncimeve të banorëve dhe pretendimeve për zaptim pronash, konflikti në fshatin Damës vijon të mbetet pa një zgjidhje, ndërsa banorët kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve përkatëse.
and then