
Një futboll total ofensivë, gola, spektakël, por për fat të keq edhe dëmtime në masë. PSG-Barça rezultoi një sfidë spektakolare, me francezët që konfirmuan pse janë kampion në fuqi në Champions duke triumfuar me “poker” golash. Ekipi i Hansi Flick “bie” për herë të parë këtë sezon, një disfatë 4-2 në “Parkun e Princave” që vjen pikërisht pak ditë përpara “El Clasico”.
Pas dëmtimit të Dembele dhe Dani Olmo-s, në minutën e 38-të ishte Doue që zhbllokoi sfidën me një goditje të saktë në kufijtë e zonës. Me fillimin e pjesës së dytë ishte Xavi Espart që barazoi shifrat në 1-1. Menjëherë pas këtij momenti, në Paris pllakosi heshtja pasi nga fusha e lojës u larguan të dëmtuar Marqiunhos dhe Kvaratskhelia. Për të fat të keq, ylli gjeorgjian këputi ligamentet e gjurit, një dëmtim shumë i rëndë që i jep fund këtij sezoni.
Për të rikthyer edhe një herë PSG në avantazh mendoi Lucas Hernandez, me anësorin francez që me një goditje me kokë dërgoi shifrat në 2-1. Barça nuk u dorëzua në asnjë moment dhe në minutën e 79-të ishte Lamine Yamal, me talentin spanjoll që realizoi një gol shumë të bukur duke barazuar shifrat në 2-2. Festa zgjati pak, pasi Vitinha dhe Fabian Ruiz realizuan edhe dy herë të tjera për PSG duke kompletuar “pokerin” e golave.
and then