Prishtina shkëputet në krye, Drenica ndal Dritën

Prishtina ka shënuar fitore ndaj Vushtrrisë me rezultat 2:1, në ndeshjen e xhiros së 13-të të Albi Mall Superligës së Kosovës, duke e forcuar pozitën e parë në tabelë. Takimi u zhvillua në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, ku bardhekaltrit kaluan në epërsi në minutën e 28-të, me golin e Rin Ahmetit.

Prishtina e nisi mirë edhe pjesën e dytë, duke e dyfishuar epërsinë në minutën e 49-të. Për 2:0 realizoi Assabe Diatta.

Vushtrria nuk u dorëzua dhe në minutën e 79-të arriti ta ngushtojë epërsinë në 2:1, me golin e Urim Statovcit. Megjithatë, deri në fund rezultati nuk ndryshoi dhe Prishtina arkëtoi tri pikë të reja.

Kjo ishte fitorja e dhjetë për Prishtinën në këtë edicion. Me dy barazime dhe një humbje, kryeqytetasit kryesojnë tabelën me 32 pikë, pesë më shumë se Malisheva në vendin e dytë. Drita renditet e treta me 24 pikë. Kjo e fundit, në ndeshjen tjetër të zhvilluar të dielën, barazoi 1:1 si mysafire me Drenicën, në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj.

Kampionia në fuqi kaloi në epërsi në minutën e 16-të, me golin e Albert Dabiqajt, ndërsa vendasit reaguan në minutën e 25-të, kur Genc Hamiti realizoi për rezultatin përfundimtar 1:1.

Për Drenicën kjo ishte pika e parë nën drejtimin e trajnerit Gentjan Mezani, i cili mori drejtimin e skuadrës më 26 tetor.

Pas humbjes 4:0 nga Ballkani në xhiron e kaluar, skuadra nga Skenderaj arriti të ndalë kampionen e Kosovës.



“Arena e Lajmit”

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×