
Policia ka zbardhur pesë raste të vjedhjes së automjeteve në qarkun e Fierit, të kryera në Mallakastër, Lushnjë dhe Divjakë. Në kuadër të operacionit të koduar “Hijet e Natës”, është arrestuar një 51-vjeçar, ndërsa dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim si bashkëpunëtorë të dyshuar.
Në pranga ka rënë shtetasi Gj. C., 51 vjeç, banues në Mamurras, Kurbin. Ndërkohë, në kërkim janë shpallur K. M., 28 vjeç, banues në Blinisht, Lezhë, dhe E. D., 34 vjeç, banues në Lurth, Mirditë.
Sipas hetimeve, tre shtetasit dyshohet se kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin për vjedhjen e automjeteve, të cilat dyshohet se synonin t’i përdornin për veprimtari kriminale.
Dy prej vjedhjeve janë kryer më 13 nëntor 2026, në fshatin Hekal të Mallakastrës, ndërsa tre rastet e tjera janë dokumentuar në periudha të ndryshme të këtij viti.
Konkretisht, automjetet janë vjedhur më 8 janar në fshatin Feras të Divjakës, më 13 shtator në Çermë Proshkë të Divjakës dhe më 18 tetor në fshatin Dushk të Lushnjës.
Operacioni u zhvillua nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Policinë e Lezhës. Ndërkohë, vijojnë kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e dy personave të shpallur në kërkim, si dhe hetimet për dokumentimin e plotë të aktivitetit të dyshuar kriminal.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.
and then