
Një operacion antidrogë i koduar “Risia” është finalizuar nga Policia e Tiranës, duke çuar në sekuestrimin e 12.1 kilogramëve lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa në trajtë xhelatinoze, e cila dyshohet se ishte përgatitur për t’u shitur në Shqipëri.
Në kuadër të operacionit është shpallur në kërkim një 22-vjeçar me inicialet F. I., ndërsa është arrestuar bashkëpunëtori i tij, 22-vjeçari M. V., të dy banues në Paskuqan.
Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të 19 nëntorit 2026, në autostradën Tiranë-Elbasan. Sipas Policisë, shërbimet i kanë bërë shenjë ndalimi automjetit që drejtohej nga F. I., por ky i fundit nuk i është bindur urdhrit, ka vijuar lëvizjen me shpejtësi, ka braktisur automjetin në autostradë dhe është larguar në këmbë.
Gjatë ndjekjes, policia ka konstatuar se lëvizjet e automjetit që transportonte lëndën narkotike monitoroheshin nga një automjet tjetër, me drejtues M. V. Ky i fundit është kapur nga shërbimet e Policisë dhe është arrestuar.
Gjatë kontrollit në automjetin e braktisur nga 22-vjeçari në kërkim, u gjetën 12.1 kilogramë Cannabis Sativa në trajtë xhelatinoze. Ndërkohë, gjatë kontrollit në banesën e të arrestuarit M. V., policia zbuloi edhe një sasi të dyshuar kokaine.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lënda narkotike, dy automjetet e përdorura dhe tre telefona celularë.
Policia vijon punën për kapjen e 22-vjeçarit F. I., si dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme. Hetimet po zhvillohen nën drejtimin e Prokurorisë, ndërsa materialet procedurale i janë referuar organit të akuzës për veprime të mëtejshme.
and then