
Deputeti i PD Kreshnik Çollaku gjatë fjalë së tij në parlament ka shprehur përkrahjen për protestën e pedagogëve, ndërsa tha se kërkesat e tyre janë të arsyeshme dhe të përulura.
Ai tha se reagimi i kryeministrit do të ishte i kuptueshëm nëse do të justifikohej me krizën ekonomike apo luftën, por sipas tij ai i përçmoi pedagoget.
Sakaq, deputeti i PD deklaroi se nuk duhet të bëhen kompromise me arsimin dhe u bëri thirrje pedagogëve që të mos ndalojnë protestën deri sa të plotësohen kërkesat e tyre.
“Qindra pedagogë kanë shpallur një grevë. Kur kontingjenti më elitar i këtij vendi ka një problematikë aq të madhe mendoj që parlamenti të ndalet dhe të dëgjojë. Kam një vit deputet por 20 vite si pedagog në Universtetin e Tiranës. Kërkesa e tyre është e përulur. Janë të arsyeshëm dhe të kujdesshëm. E vetmja herë që ka pasur një rritje të qenësishme të rrogave të tyre ishte në 2004. Kërkesa e tyre është në minimumin e dinjitetit normal, e kanë të pamundur të kalojnë muajin me familjet e tyre. Do e kuptoja një reagim të Kryeministrit nëse do thoshte jemi në krizë etj, por ai thotë se i di rrogat e tjera që marrin pedagogët. Pedagogët janë kthyer në lypsarë të universiteteve të rajonit. Mbi të gjitha, ju që jetoni mirë, nuk jeni mirë as ju. Në dorën e atyre që kryeministri përçmoi janë fëmijët tuaj. Pedagogët të mos ndalen, parlamenti duhet t’i dëgjojë dhe të plotësojë kërkesat e tyre. Kombi nuk ka përparim me gradaçela, autostrada dhe makina të shtrenjta. Kemi masakruar shkollën dhe dijen. Në ka një sektor ku nuk lejohen eksperimentet është arsimi, nuk duhet të bëjmë kompromis te dija. Nuk do kemi qetësi e zhvillim pa dijen”, u shpreh Çollaku.