Një muaj stërvitje vetëm për një ndeshje. Vllaznia u dha fund përgatitjeve dje në orën 21:30 në kuadër të sfidës që do të luajë sot ndaj Universitatea Kraiovës, e cila është e vlefshme për turin e dytë të Ligës së Konferencës.
Kuqeblutë zhvilluan seancën e fundit në stadiumin “Loro Boriçi”, menjëherë pasi fushën e kishin lënë rumunët. Të gjithë lojtarët ishin të gatshëm për trajnerin Mirel Josa, ndërsa u provua edhe formacioni.
Nga afrimet e merkatos, vetëm dy lojtarë do ta nisin si titullarë, pikërisht qendërmbrojtësi kroat, Marko Juriç, si dhe mesfushori kosovar, Lorik Boshnjaku, të cilët do të bëjnë debutimin me fanellën kuqeblu.
Në portë do të jetë si zakonisht Zogoviç, ndërsa në krahët e mbrojtjes kapiteni Gurishta dhe Hakaj.
Në qendër, malazezit Bulatoviç i bashkohet tashmë Juriç, ndërsa kandidat potencial për formacionin është edhe Dajan Shehi.
Në mesfushën me tre lojtarë, në rolin e shkatërruesit do të jetë Boshnjaku, ndërsa pranë tij do të rreshtohen edhe Jonuzi e Heriç. Në fazën sulmuese i sigurt është vetëm Aralica, ndërsa dy lojtarë mes Krujës, Hoxhës, Çobës dhe Vulajt do të “digjen”.
Gjasat janë që nga krahët të luajnë Kruja dhe Çoba, por nuk është çudi që Josa të ndërrojë mendje dhe të preferojë në minutat e fundit Hoxhajn ose afrimin e merkatos, Vulaj.
ADMIR URUÇI – Arena e Lajmit

Loading…