Gjuetia për golin nuk është asnjëherë e lehtë dhe këtë më së miri e dinë sulmuesit, ata që shpeshherë vendosin fatet e rezultatit dhe skuadrave të tyre. Me këtë përgjegjësi vjen edhe lavdia, pasi janë ata gjithmonë më të lakuarit, më të admiruarit dhe në fund edhe më të paguarit. Kontrata marramendëse për sulmuesit më të mirë të kontinentit që këtë sezon në ligat përkatëse kanë marrë në krah skuadrat e tyre drejt luftës për titull. Në një klasifikim të 10 golashënuesve më të mirë të Europës, le t’i hedhim një sy vlerës financiare të një goli të tyre, bazuar në kontratat vjetore.
PODIUMI
Kilië Mbape kryeson klasifikimin si lojtari golat e të cilit paguhen më shumë. Francezi ka arritur të shënojë 28 gola në Ligën 1, ku vetëm njëri prej tyre vlen rreth 893 mijë euro. 23-vjeçari ka një diferencë të frikshme prej rreth 270 mijë eurosh për gol nga ndjekësi i tij më i afërt, Karim Benzema, që është edhe pretendenti kryesor për “Topin e Artë”, pas sukseseve me Real Madridin e tij. Në podium është ngjitur edhe Salah. Mbreti egjiptian i Liverpulit paguhet 596 mijë euro për një rrjetë në kampionat dhe me kontratën e re të firmosur këtë verë, kjo shifër pritet të rritet edhe më shumë. Leva & Co – Për të parë golashënuesin më të mirë të kampionateve respektive, na duhet të shkojmë në vendin e katërt, aty ku gjendet Robert Levandovski me 35 golat e tij “ekonomikë”.
Polaku ka dominuar Gjermaninë për shumë kohë me fanellën e Bajernit, që ka paguar 572 mijë euro për çdo kontribut të tij. Këtë sezon me fanellën e Barcelonës, Leva ka një tjetër sfidë për të qenë po kaq produktiv. Në të njëjtin kampionat nuk ka ngelur pas as Haland, që këtë vit do të veshë fanellën e Mançester Sitit në Premier Ligë, aty ku norvegjezi do të përballë Hong Min Son, koreanin e Totenhemit që është po ashtu i renditur në këtë listë. Kampionati francez përfaqësohet edhe me Ben Jederin e Monakos që ndiqet nga dyshja e Serisë A: Imobile dhe Lautaro. Italiani i Lacios paguhet dhe shënon më shumë se argjentinasi i Interit, që gjithsesi ka arritur rezultate më të mira kolektive. Në fund surpriza është Patrik Shik, çeku i Bajern Leverkusenit që po lë gjurmë në Bundesligë.
KLASIFIKIMI:
Arena e Lajmit

Loading…