Janë pak futbollistët shqiptarë të Malit të Zi, të cilët kanë bërë emër dhe paraqitje dinjitoze. Një ndër ata është edhe ish-sulmuesi i Deçiçit, ekip shqiptar i Tuzit, që madje po garon në Europë, Ilir Camaj. Ai u afrua ndër të parët në merkaton e Egnatias duke besuar te vlerat e tij. Tashmë pas dy javësh në kampin rrogozhinas, ai e ka një ide të qartë mbi forcën e grupit. Në intervistën për “Panorama Sport”, ai është koshient se prej tij priten gola të shumtë ai e premton këtë gjë para tifozëve të Egnatias.
Keni refuzuar disa oferta për të pranuar atë të Egnatias?
Po, është e vërtetë që pas paraqitjeve të mia në kampionatin malazez, erdhën disa oferta sapo u mbyll sezoni. Të gjithë shqiptarët që luajnë jashtë Shqipërisë kanë dëshirë të bëhen pjesë e Superiores dhe kështu pranova me dëshirë ofertën që më erdhi. Jam i kënaqur për zgjidhjen që bëra.
Sa e keni ndjekur Superioren shqiptare dhe sa e njihni atë?
Superioren e kam ndjekur sa kam pasur mundësi. Nuk mund të them se e njoh mirë, por me ndihmën e sugjerimet e shokëve, kam bindjen se do të përshtatem shpejt me kampionatin shqiptar.
Ju vjen keq që nuk shënuat në premierë, pikërisht në miqësoren me Strugën?
Natyrisht, nuk e fsheh se më erdhi keq që nuk arrita të shënoja. Fundja, si sulmues përpiqem e dua të shënoj në çdo sfidë, qoftë miqësore apo zyrtare. Po duhet të më kuptoni se ishte hera e parë që luanim bashkë dhe natyrisht ende nuk njohim mirë lojën e njëri-tjetrit.
Atëherë më kaq ditë tek Egnatia, keni krijuar ndonjë ide mbi forcën e grupit?
Grupi po më lë përshtypje shumë të mirë në marrëdhëniet në stërvitje e jashtë saj. Jemi ekip i ri ku futbollistët luajnë për herë të parë me njëri-tjetrin. Çmoj mjaft cilësitë që kam parë te shokët dhe ajo që na nevojitet, harmonizimi i grupit, do të vijë normalisht. Besoj se do të jemi një ekip konkurrent e cilësor
Sa gola premtoni?
Tifozët presin nga unë së pari ta ndihmoj ekipin, po sigurisht edhe golat e mi. Askush nuk premton numër golash, por ajo që premtoj unë është dëshira ime dhe të djersij fort për të shënuar sa më shumë gola.
F. FERIZAJ-Arena e Lajmit

Loading…