REPORTAZHI/ Partizani nis misionin e titullit me 5 në portë. Vjen edhe blerja e fundit, një vizitor i veçantë nuk i bindet Mehmetit

Pas gjashtë ditësh pushim, Partizani është kthyer ditën e premte në stërvitje, këtë herë për llogari të nisjes së Kategorisë Superiore në fund të muajit gusht, ku Partizani për herë të parë pas disa vitesh, do ta fillojë me dy ndeshje në shtëpi, ndaj Egnatias e më pas ndaj Laçit. Objektivi dihet, titulli kampion.

fdgdfgdfgdfg

Seanca nisi fiks në orarin e parashikuar, 19:00, me përgatitësin atletik, Marko Korali, që u vu në udhëheqje të skuadrës, duke u përpjekur të vendosë gradualisht në aktivitet muskujt e lojtarëve, të cilët vinin pas pushimeve disa ditore.

MATONDO – Një nga mesfushorët më të mirë në dispozicion të Mehmetit, Masanga Matondo, nuk u stërvit me grupin ditën e djeshme. Ai u angazhua vetëm në vrapim rreth fushës, teksa e la stërvitjen shumë më shpejt se pjesa tjetër e skuadrës. Kongolezi ka një shqetësim muskulor, që fatmirësisht ka ardhur në një kohë qetësie për skuadrën dhe më datë 20 gusht, kur nis kampionati, pritet që 22-vjeçari të jetë rikuperuar tërësisht.

PORTIERË ME SHUMICË – Nën drejtimin e trajnerit Ilir Bozhiqi ditën e djeshme ishin plot 5 portierë. Alban Hoxha, i rikuperuar plotësisht nga dëmtimi ishte pjesë e stërvitjes, teksa përveç tij në fushë ishin edhe Teqja, Laroshi, Rexhepi dhe një nga portierët e ekipeve të moshave. Gjithsej, Mehmeti kishte nën urdhrat e tij plot 27 lojtarë, 5 prej të cilëve ishin integruar nga akademia.

VIZITORI I VEÇANTË – Në stërvitje mbizotëronte një qetësi e madhe. Ishte hera e parë që skuadra grumbullohej pas eliminimit zhgënjyes nga Kupat e Europës në atë ndeshje dramatike me Saburtalon dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Për t’i dhënë atmosferës shenja gjallërie kishte menduar kapiteni Alban Hoxha. Ai në këtë seancë kishte marrë me vete djalin e tij, i cili ishte i vetmi, që nuk u bindej urdhrave të Mehmetit dhe kishte lirinë të shkonte ku të donte. Në fund të stërvitjes, Hoxha mori pak kohë për t’u argëtuar me të.

BISEDA MISTERIOZE – Në pjesën e fundit të seancës stërvitore, kur skuadra ishte nën urdhrat e zëvendësit Fatjon Tafaj dhe përgatitësit atletik, Marko Korali, Mehmeti dhe drejtori sportiv Elton Marini, i cili e ndjek rregullisht skuadrën në stërvitje, zhvilluan një bisedë për rreth 20 minuta. Të dy u kujdesën që ajo që flitej të mos kuptohej, teksa i vetmi detaj, që u arrit të kuptohej ishte se biseda ishte mjaft intensive, duke parë gjestet dhe mimikën e dy drejtuesve.

MENISH – Ditën e djeshme, Jozef Menish, i ardhur në ditët e fundit, zhvilloi seancën e parë stërvitore me Partizanin. Mbrojtësi sllovak u duk mjaft i ingranuar me skuadrën në stërvitje, teksa ra në sy menjëherë fiziku mjaft i formuar i tij.

DENIS LALA – Arena e Lajmit


Loading…

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×