Vllaznia e ka përjetuar si humbje barazimin me Dinamon dhe kjo kuptohet qartë nga fjalët e Elvis Plorit. Trajneri i kuqebluve pranoi në “SuperSport” se skuadra në këto momente gabonte gjëra të thjeshta ndaj ekipi nuk ia dilte të merrte përsëri pikët e plota në një ndeshje që duhej fituar me çdo kusht.

“Të them e brishtë, nuk është fjala e duhur. Ka të bëjë edhe cilësia, se duhet të jetë më e lartë me kaq shumë raste të humbura. Duhet të heqim presionin se janë lojtarë profesionistë dhe këtu bëhet ndryshimi mes sulmuesve që shënojnë e jo. Kemi pasur raste flagrante që duhej të finalizoheshin, nëse nuk shënon, normalisht nuk e fiton ndeshjen.
Duhet të flas në mënyrë teknike sa i përket ndeshjes. Rasti është në dorën e gjyqtarëve dhe VAR, ata justifikojnë sikur ka qenë dora e pavullnetshme por unë mendoj se është penallti.
Mendoj se kjo ndeshje ishte pak ndryshe se barazimet e tjera. Nuk është se nuk luftuam deri në fund dhe shpesh në tranzicion negativ u gjendëm të pozicionuar keq, tregon se donim të fitonim ndeshjen. Por mundësitë që na u dhanë, ndoshta pasimi i fundit nuk ishte ai i duhuri. Kishim 3-4 raste në fundore, sulmuesit pritnin të shtynin topin në rrjetë e pasimi mungoi. Këto gjëra bëhen bashkë e nuk fitojmë ndeshjen. Ishte goditje për ne, duke e ditur se luajmë me Dinamon që është në fund e shpresojmë të futemi nga kampionati në Europë. Them se nuk kemi bërë mirë.
Gjurgjeviç e Latifi nuk ishin në fushë, nëse të mungojnë dy lojtarë që mund të shtyjnë topin në rrjetë, alternativat nuk janë të plota. Unë nuk ankohem asnjëherë, por kur Aralica u ndje i lodhur në fund, nuk kisha sulmues në gjendje e ndoshta shkoi ndeshja kështu”, tha Plori.
Arena e Lajmit
and then