Largimi i Robert Levandovskit nga Bajerni ka lënë një boshllëk të madh te kampionët e Gjermanisë, të cilët kërkojnë një qendërsulmues të denjë për ta zëvendësuar. Emri që doli së fundmi ishte ai i Herri Kejn, i cili ka dhe dy vite kontratë me Totenhemin.
Në një intervistë për “Bild”, drejtori sportiv i bavarezëve, Oliver Kahn, foli për mundësinë që klubi gjerman ka ta afrojë anglezin që këtë verë.
“Ai është në një kontratë me Totenhemin, por ai është padyshim një nga sulmuesit më të mirë në botë dhe është një ëndërr për të ardhmen. Tani ne duhet të mendojmë se si ta organizojmë skuadrën për sezonin e ri dhe të shohim se çdo të ndodhë më pas”, ishin fjalët e legjendës gjermane.
Kujtojmë që Herri Kejn dëshironte të largohej nga Spërsat në sezonin e kaluar, por çmimi prej 150 milionë paundësh që klubi kërkonte bëri që Mançester Siti të hiqte dorë. 28-vjeçari mund të kërkojë sërish të largohet verën e ardhshme, nëse skuadra e tij nuk do të arrijë të fitojë trofe.
Arena e Lajmit
