Auron Miloti beson se Vllaznia i ka të gjitha shanset për të eliminuar një skuadër si Universitatea Kraiova. Në një prononcim pas nisjes në Rumani, pjesëtari i stafit teknik të kuqebluve u shpreh optimist, duke u bazuar edhe te gjendja e mirë që po kalon skuadra. Sipas tij, Vllaznia duhet të rregullojë disa gabime që bëri në sfidën e parë.
Auron, po afron ndeshja e kthimit ndaj Universitatea Kraiovës…
Ne mezi po e presim këtë përballje. Jemi të mobilizuar për të dhënë të gjitha mundësitë tona për të shkuar te kualifikimi.
Një udhëtim dy ditë përpara, pse ky vendim?
Sepse kemi kohë që të pushojmë dhe të punojmë për të dhënë në fushë 100% tonë.
Të gjithë konsiderojnë favorite Kraiovën, cili është mendimi juaj?
Ne e kemi studiuar kundërshtarin, ia dimë tashmë pikat e tij të forta dhe të dobëta. Arritëm që të barazonim me këtë skuadër në Shkodër. Ata nuk janë të pathyeshëm, prandaj do të tentojmë të marrim kualifikimin ndaj tyre. Kuptohet që Kraiova është një ekip shumë i mirë, por në futboll gjithmonë duhet të shpresosh deri në fund.
Ku mendoni se Universitatea Kraiova ka pika të dobëta?
Çdo skuadër ka pikat e forta dhe të dobëta të saj. Ne do të mundohemi që t’i minimizojmë në maksimum ato gabime që bëmë në ndeshjen e parë në Shkodër. Duhet të shikojmë vetëm punën tonë. Nuk dua që të shikojmë çfarë do të bëjë ekipi kundërshtar.
Po flitet për ndryshime në formacion, është vendosur se cilët do të jenë titullarët apo do të pritet deri në enjten?
Akoma nuk është vendosur për formacionin. Rëndësi ka që të gjithë lojtarët janë në gjendje shumë të mirë, si fizike dhe në aspektin psikologjik. Pra, të gjithë janë të gatshëm.
Ju besoni te fitorja?
Normalisht që besoj te fitorja. Ne do t’ia lëmë fushës, por duhet të besojmë që do të marrim një rezultat pozitiv.
Do të zgjidhet brenda 90 minutave ky takim sipas jush?
Nuk ka rëndësi nëse e arrijmë gjatë 90 minutave apo në shtesë dhe me penallti. E rëndësishme është që Vllaznia të kualifikohet. Ne besojmë te kualifikimi.
A.URUÇI – Arena e Lajmit
