
Partia Socialiste bashkoi votat me grupin e Alibeajt për të votuar hapjen e dosjeve si dhe rishikimin e certifikatave të pastërtisë të të gjithë kandidatëve për poste drejtuese, pavarësisht nëse janë kontrolluar më parë nga komisionet “Bezhani” dhe “Mezini”.
Duke folur në emisionin “Pikat mbi i”, analisti Artur Zheji tha se ky votim tregoi që PD është e ndarë, ndërsa për Lubonjën, pas këtij votimi, çdo retorikë për bashkimin e PD është e vdekur.
Mirë apo keq që u votua hapja e dosjeve të ish-Sigurimit?
Lubonja: E mira përcaktohet shumë nga qëllimi dhe nga efekti. Mendoj që në tërësinë e vet kjo është një hipokrizi e madhe sepse kjo ka të bëjë me atë si i qasemi të kaluarës. Problemi më i madh që kam unë është se ne i jemi qasur të kaluarës me një kulturë bardh e zi, i miri dhe i keqi, por që në thelbin e vet ka heqjen e çdo përgjegjësie nga vetja dhe gjetjen e një fajtori. Sigurimi i Shtetit ka qenë një organizëm i frikshëm, por ne që e kemi jetuar dhe i kemi njohur edhe nga afër, e dimë që ata nuk ishin gjë tjetër veçse vegla injorante e një mekanizmi shumë më të madh që ishte partia, shoku Enver, propaganda, arti, letërsia, këngët ku hynte dhe frika. i gjithë regjimi i imponohej njeriut me të gjitha format. Reduktimi te pjesa e Sigurimit ka qenë dhe mbetet një lloj mënyre për tu shfajësuar edhe pjesa tjetër që ka bashkëpunuar me këtë regjim. Kur u dënuam ne ishin 3 grupe të mëdha që u goditën, e gjetëm Spaçin me 400 të vetë dhe u bë me 1500. E gjitha kjo periudhë që është shumë e errët, nuk u bë nga Sigurimi. Kjo në thelb është largim i gjithë kësaj elite që vazhdon ta ketë pushtetin nga përgjegjësitë e veta.
Zheji: Këtu ka një kontradiktë midis rolit të individit dhe rolit të diktatorit. Unë po të isha avokat i tyre do thoja është prej sistemit. Roli i atij që shkelte këmbëzën, apo ai që bënte torturën, roli i këtyre ishte prej sistemit. Pastaj varet se çfarë pozicioni kanë këta në shoqërinë e sotme. Nëse një ish sigurimis është tërhequr në jetën e tij private po, por nuk mund të jenë aktorë ndriçues. Nëse do jetë një filtër për të penguar derdimenë të tjerë, ndërkohë që e kanë dollapin e tyre të mbushur me skelete, kjo është koha që të pastrohet.
Lubonja: Rama në fjalën e tij në Kuvend e kishte për Sali Berishën. Rama ndërkohë vetë po bën më të ziun e anti komunistëve. Kultura komuniste është kulturë e mendimit totalitar, e përjashtimit të tjetrit, që u shfaq edhe te Berisha në 1991-97. Atë që Rama e thoshte për Berishën atëherë, tani po e bën vetë. Unë shoh tani instrumentalizimin e kësaj teme për qëllime politike të mbrapshta. Sot pas 30 vjetësh me këto kategoritë e vjetra do ta shpjegojmë ne Shqipërinë? Me komunistë, ballistë, spiunë apo me të tjera kategori që janë të kohës së sotme? Po marrim Metën që është bërë sebep i këtij projektligji, dikush më thotë se ky i ka bërë këto të këqijat se ka qenë spiun. Po mirë, po këta Zotot e inceneratorëve që nuk kanë qenë spiunë të Sigurimit, me këta do të shpjegohet realiteti shqiptar? Në momentin që dua të heq qafe Artur Zhejin se më prish punë dhe bëj një ligj që ky të hiqet është e njëjta gjë me atë të heqjes së koalicioneve. Unë edhe ligjin e dekriminalizimit e kam parë si problematik. Nëse ka bërë një krim, e kreu, ti nuk mund ti heqësh të drejtën universale për tu zgjedhur. Tani u duhet ta heqin këtë (Metën) dhe ta bëjnë edhe me ligj që të mos vijë.
PS bashkoi votat me grupin e Alibeajt. Si e shpjegoni?
Zheji: Alibeaj ka një sensibilitet, vjen nga të persekutuarit politikë. Nuk ka pse ta paragjykoj Alibeajn pse votoi. Gjëja kryesore që më bie në sy është që grupi i PD është i ndarë dhe këtu është një rast i kolaudimit të ndarjes. Berisha me grupin e tij u largua nga Parlamenti dhe sot e justifikoi që ishte gjueti shtrigash ndaj Metës prandaj nuk mora pjesë. Por nëse ti thua që ka gjueti shtrigash do të thotë se ajo dosje ekziston, ndërkohë që Meta thotë se nuk ekziston. Këta janë aleatë, por edhe duhet të ruhesh pak nga shoku e nga miku. Fakti që Berisha nuk votoi dhe Alibeaj votoi do të thotë se PD është e ndarë. Nuk mund të them se bashkoi votat me Ramën për të shkatërruar Ilir Metën. Këtë nuk e besoj.
Lubonja: Shitje-blerje nuk e di, por që nuk kanë instikt politik është e qartë. Kush mendon se Rama mund të ndalet këtu në luftën e tij për të shkatërruar opozitën e ka gabim. Alibeaj me Bashën e me shokë si politikanë duhet, edhe në qoftë se ishin dakord në parim, të mos ia votonin për arsye se qëllimi është përçarës. Kjo është dita ku u bë e qartë që çdo retorikë për bashkim të PD-së është e vdekur.
and then