Janë gjestet e vogla ato që bëjnë diferencën, ato që pasqyrojnë një atmosferë të caktuar. Kur Serzh Gnabri goditi topin nën shtyllë për të fiksuar rezultatin 4-1 në finalen e Superkupës kundër Lajpcigut dhe u nis për të bërë festën e tij prekëse të nënshkrimit përpara tifozëve të Bajernit, Sadio Mane shkoi t’i jepte dorën. Gnabri u duk se e humbi atë, por jo – ai ndaloi për një moment dhe më pas përplasën dorën. Të dy kanë gjetur njëri-tjetrin në qendrën e sulmit të Bajernit, ishterritori i Robert Levandovskit. Gnabri e mbylli ndeshjen e parë zyrtare të sezonit me një gol dhe një asist (për Mane) dhe tashmë duket se po formohet si partneri ideal i sulmit të të porsaardhurit nga Liverpuli.
Senegalezi, i cili u shpall Futbollisti i Vitit i Afrikës, shkëlqeu në provën e parë të vërtetë për skuadrën e Nagelsmanit. Me prekjen e tij të shtatë të topit, 30-vjeçari shënoi golin e 2-0, edhe pse ai nuk ka mbushur ende një muaj në Mynih. Dy gola të tjerë iu anuluan 30-vjeçarit për pozicion jashtë loje në triumfin final 5-3. Ndeshja e parë zyrtare, goli i parë, trofeu i parë, çfarë debutimi!? Ndryshe nga De Ligt, Gravenbersh dhe Mazraui (të tria afrimet e tjera hynë në pjesën e dytë), sulmuesi e gjeti veten pikërisht në formacionin titullar. “Jam shumë i lumtur”, tha Mané: “Ndeshja ime e parë me Bajernin. Siç e thashë edhe më parë: Është ëndrra ime. Shpresoj që do të vijnë më shumë trofe”. Me një buzëqeshje të madhe në fytyrë, Mane e ngriti trofeun në qiellin e mbrëmjes së të shtunës në Lajpcig sikur të mos kishte fituar kurrë një trofe me “Reds”-at në “Anfield”. Ai u ambientua shumë shpejt në mjedisin e tij të ri. Trajneri Julian Nagelsman vlerësoi “performancën shumë të mirë” dhe tha i entuziazmuar:
“Sadio është i përulur, me këmbë në tokë, punëtor. Ai i motivon djemtë në dhomën e zhveshjes. Shkurt: një lojtar me cilësi të jashtëzakonshme, një djalë i jashtëzakonshëm”. E megjithatë as Gnabri dhe as Mane nuk ishin lojtarët më të mirë të ndeshjes. Ata u kryesuan nga një 19-vjeçar: Xhamal Musiala, i cili gjithashtu harmonizohej shumë mirë me Manenë. Nagelsman tha madje se ai e dëshmoi “klasin e tij botëror” dhe ishte i mahnitur me “veprimet e jashtëzakonshme” si në rastin e golit të parë kundër fituesve të kupës: “Ai ishte thjesht tepër i vështirë për t’u mbrojtur”. Goli i tij i parë për Bajernin këtë sezon ishte një vepër e vogël arti: driblim në një hapësirë të kufizuar, kontroll solid i topit, më pas kërkimi i hapësirës dhe një gjuajtje drejt këndit të largët të portës. Për më shumë, Musiala përgatiti edhe dy golat e tjerë të Bajernit përpara pushimit.
Arena e Lajmit
