Martin Breithuejt nuk bën më pjesë në planet e Barcelonës. Por sulmuesi danez, as nuk ka ndër mend të largohet nga klubi katalanas me kushtet që i ka vënë ky i fundit. Edhe pse është milioner falë investimeve të suksesshme që ka bërë jashtë fushave të lojës, sulmuesi ka vendosur që të mos i dhurojë asnjë cent katalanasve të cilët po mundohen me çdo kusht që ta heqin qafe për të hapur vend për blerjet e reja.
Edhe pse lojtari ka oferta nga klube të tjera, ai nuk ka ndër mend të largohet siç ia kanë kërkuar drejtuesit e klubit. Këta të fundit fillimisht i propozuan që të ndërpriste kontratën me ta dhe të largohej si lojtar i lirë. Më pas, i propozuan që t’i paguanin një dëmshpërblim të barazvlefshëm me rrogën e një viti që do të përfitonte te katalanasit.
Por sipas të përditshmes “Sport”, Breithuejt ka refuzuar dhe i ka kërkuar Barcelonës që ta paguajë çdo cent që i detyrohet deri në mbyllje të kontratës, e cila ka edhe dy vite deri në përfundimin e saj. Drejtuesit e klubit i kanë bërë kërkesë që të ulet përsëri në tavolinë për bisedime, por danezi ka refuzuar dhe ngul këmbë që të largohet siç dëshiron ai.
Arena e Lajmit
